Arrestohen 4 mijë emigrantë në Libi

TË FUNDIT

Autoritetet në Libi kanë kryer bastisje në shkallë të gjerë në pjesën perëndimore të vendit, e cila çoi në arrestimin e 4.000 emigrantëve, përfshirë qindra gra dhe fëmijë.

Bastisjet u kryen dje në qytetin Gargarez si pjesë e një “fushate sigurie kundër migrimit ilegal dhe trafikut të drogës”.

Ministria e Punëve të Brendshme, e cila kreu bastisjet, nuk komunikoi se mes të arrestuarve kishte trafikantë apo kontrabandistë.

Autoritetet bënë të ditur dje se 500 emigrantë të paligjshëm ishin arrestuar, por sot e kanë rritur numrin në 4.000.

“Të arrestuarit u dërguan fillimisht në një objekt në Tripoli të quajtur Qendra e grumbullimit dhe kthimit”, deklaroi koloneli i policisë Nuri al-Gretli, shefi i qendrës.

Sipas tij, ata më pas u sistemuan në qendrat e paraburgimit në Tripoli dhe në qytetet përreth.