MPB ka dorëzuar kallëzim penal kundër katër personave lidhur me aksidentin rrugor që ndodhi dje në rrugën “Fronti Popullor” në Shkup rreth orës 11:30, ku një automjet Volksëagen Passat me targa të Shkupit, i drejtuar nga S.S. (18) nga Shkupi, përplasi Ljuba Jakovlevska (79)nga Shkupi, e cila vdiq nga plagët e marra, ndërsa shoferi u largua nga vendi i ngjarjes. Policia njofton se dy persona janë arrestuar për rastin në fjalë, ndërsa shoferi 18 vjeç dhe babai i tij, janë arratisur.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, policia ndërmori masa dhe aktivitete për gjetjen e shoferit dhe automjetit. Përmes kamerave të projektit “Qyteti i Sigurt” dhe kontrolleve shtesë të kamerave të objekteve përreth, si dhe deklaratave të dëshmitarëve, u konstatua se bëhej fjalë për automjetin Volksëagen Passat me targa të Shkupit, pronë e B.S. (45) nga Shkupi, dhe i drejtuar nga djali i tij S.S. (18). Automjeti u gjet para shtëpisë së pronarit, ku u kap dhe S.S. (69), i cili u mor në stacion policor dhe u intervistua zyrtarisht. U konstatua se shoferi S.S. (18) dhe babai i tij B.S. (45), me ndihmën e Sh.P. (45) dhe A.J. (53) nga Shkupi, kishin braktisur vendin gjatë ditës së djeshme. Po ndërmerren masa për gjetjen e S.S. dhe B.S.”, thonë nga MPB.
Nga Prokuroria Themelore Shkup bëjnë të ditur se shoferi i cili e ka drejtuar automojetin nuk ka pasur patentë shoferi të vlefshme, dhe se në kushte të tilla, ai goditi trupin e viktimës.
“Dy të dyshuarit e tjerë, një burrë dhe një grua, i ndihmuan të dyshuarit në shkaktimin e aksidentit rrugor të largohej nga vendi, duke e transportuar atë me makinën e tij përmes pikës kufitare Tabanocë. Ata u privuan nga liria pas kthimit në vend dhe prokurori publik i paraqiti një propozim për caktimin e masës së paraburgimit gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale në Shkup“, theksojnë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.
Nga prokuroria poashtu njoftojnë se bazuar në provat e mbledhura dhe paraburgimin e përcaktuar, për shoferin do të lëshohet një urdhër arresti ndërkombëtar me qëllim sigurimin e tij.
