Pesë automjete spitalore të Armatës që sot i janë vënë në dispozicion Ndihmës së shpejtë me qëllim që të përforcohet transporti i pacientëve të prekur nga Kovid-19 në kapacitetet spitalore. Gjatë ditëve në vijim pritet të lirohen edhe dy automjete të Armatës të cilat do të shfrytëzohen për qytetet e tjera.
Ministri Venko Filipçe, i cili sot së bashku me ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska mori pjesë në dorëzimin e automjeteve ushtarako-mjekësore, deklaroi se ndihma është më shumë se e nevojshme në situatë kur sistemi shëndetësor është nën presion të madh.
“Presioni është i madh dhe është i domosdoshëm transport i shpejtë. Kjo ndihmë është e çmueshme dhe do të jetë e rëndësishme pasi do ta rrisë numrin e ekipeve të cilat do të jenë në dispozicion për transportimin e pacientëve. Sistemi shëndetësor për disa ditë me radhë është nën presion të madh. Situata është kritike. Sot në mëngjesi kemi pasur takim koordinues me drejtorët e klinikave interne dhe kemi dakorduar orar të pacientëve dhe kapaciteteve spitalore shtesë. Është formuar ekip plotësues i cili është përgjegjës për trajtimin e pacientëve në klinikat interne”, theksoi Filipçe.
Ministrja Shekerinska tha se në këto momente kur vendi është duke u përballur me pandeminë, është e nevojshme të gjithë të jenë përgjegjës dhe të gjendet mënyrë të ndihmohet.
“Me këto automjete dukshëm përforcohen kapacitetet që të mundësojnë reagim të shpejtë të institucioneve shëndetësore në momente të situatave të vështira shëndetësore. Ato janë automjete të cilat japin mundësi për transportimin e më shumë personave. I japim si mbështetje pasi tani të gjitha resurset e shtetit, duhet t’i drejtojmë këtu”, theksoi Shekerinska.
Të dy bënë apel të respektohen masat dhe rekomandimet që të mund të tejkalohet situata aktuale./MIA
