Danimarka dhe Greonlanda i kanë propozuar NATO-s krijimin e një misioni në Arktik, në një kohë tensionesh të shtuara dhe deklaratash nga SHBA-ja lidhur me territorin autonom danez.
Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, tha se propozimi i është paraqitur Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë një takimi në Bruksel, pa dhënë detaje për përgjigjen e Aleancës.
“Në Arktik po rriten sfidat e sigurisë dhe ne e kemi diskutuar dhe propozuar këtë mision”, deklaroi Poulsen, duke shtuar se dialogu me SHBA-në do të vazhdojë, pavarësisht deklaratave që, sipas tij, “lëndojnë”.
Ministrja e Jashtme e Greonlandës, Vivian Motzfeldt, theksoi se bashkëpunimi mes aleatëve mbetet kyç dhe se mbrojtja e Grenlandës është e ndërlidhur me atë të SHBA-së.
Greonlanda, territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës, ka rëndësi strategjike për shkak të pozicionit të saj në Arktik dhe pasurive natyrore, ndërsa Danimarka dhe Grenlanda kanë përjashtuar çdo mundësi për shitjen e territorit.
