Arben Taravari apo Bujar Osmani? Zendeli dhe Ademi tregojnë cili kandidat është më dinjitoz për shqiptarët

TË FUNDIT

Diskutime dhe polemika mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës shqiptare në Click Plus, rreth asaj se cila konventë promovuese e kandidatit për president ishte më mirë e organizuar dhe cila sallë ishte më tepër e mbushur. Duke komentuar profilin e kandidatit oponent për president, Fadil Zendeli nga koalicioni VLEN, tha që Bujar Osmani është një profil i harxhuar dhe në skenën politike njihet nga rasti “Pacienti”.  Sipas Zendelit, ngjashmëria e vetme mes Osmanit dhe Taravarit është se të dy janë mjekë.


“Diçka që s’ka asgjë të re në skenën politike në Maqedoni, diçka që është e harxhume e vjetrrume, diçka që është e skadume me një fjalë. Me kandidatin e shumicës, BDI-së, Bujar Osmani, kandidat i cili tashmë skenës politike i mbetet si rasti “pacienti”, ndoshta është i vetmi funksionar shqiptar që ishte në labirintet e Prokurorisë Speciale dhe falë pushtetit, mekanizmave, instrumenteve të pushtetit shpëtoi nga procedurat”, tha Fadil Zendeli – VLEN.

Arbër Ademi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, tha se  koalicioni VLEN, nuk përbën fare shqetësim për BDI-në dhe nuk i shohin ata si konkurent. Ai nuk komentoi për Taravarin, por i numëroi sukseset e kandidatit Bujar Osmani gjatë karrierës së tij.


“Z.Osmani e dimë si zv.kryeministër për çështje europiane, në kohën kur është arritur Marrëveshja e Prespës, e cila hapi dyert e vendit tonë në NATO dhe si pjesë e asaj marrëveshjeje u bëmë anëtare e plotë e NATO-s. Z.Osmani si ministër i jashtëm filloi negociatat për anëtarësim në BE. Si rezultat i arritjes së marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si rezultat edhe arritjes së kornizës negociuese. Pra ka një përvojë unike në arenën ndërkombëtare, në negociata dhe në arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare”, theksoi Arbër Ademi – BDI.

Analisti politik Sefer Selimi  thotë se dy kandidatët për president ngërthejnë në vete intelektual dhe të dy do të jenë përfaqësues dinjitoz për shqiptarët.


“Unë mendoj që të dy kandidaturat janë dinjitoze, të dyja ngërthejnë në vete intelektual të cilët të paktën debatet e raundit të parë do të jenë përfaqësues dinjitoz për shqiptarët. Uroj të sjellin një nivel të ri të komunikimit dhe debatit edhe me oponentët nga partitë maqedonase”, pohoi Sefer Selimi – analist.

Mysafirët në Click Plus shprehen skeptik se cilido prej kandidatëve shqiptarë do të arrijë të kalojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, duke shtuar se më së miri do të ishte të dalin me një kandidat të përbashkët. Thonë se në raundin e dytë me shumë gjasa do të kemi një përballje mes Pendarovskit dhe Siljanovska Davkovës.