Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve (IRNA) mbrëmë njoftoi se ministri i Jashtëm Abbas Araghchi sot, pas përfundimit të vizitës së tij në Oman, do të udhëtojë sërish për në Pakistan.
“Araghchi do ta vizitojë përsëri Pakistanin, para se të udhëtojë për në Moskë”, njoftoi IRNA.
Një pjesë e delegacionit të Araghchit dje u kthye nga Islamabad në Teheran për konsultime dhe për të marrë udhëzimet e nevojshme për çështje që lidhen me përfundimin e luftës. Ata sonte do t’i bashkohen Araghchit në Islamabad.
Shefi i diplomacisë iraniane dje në Islamabad u takua me shefin e ushtrisë pakistaneze Asim Munir dhe me kryeministrin Shehbaz Sharif.
Në Islamabad duhej të mbërrinin edhe përfaqësuesit e presidentit amerikan – Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Por udhëtimi i tyre u anulua nga Donald Trump me arsyetimin se SHBA “i mban të gjitha kartat në dorë” dhe se nuk ka nevojë për fluturime të gjata për “të u ulur dhe për të biseduar për asgjë”.
Trump, pas anulimit të misionit të Witkoff dhe Kushner, deklaroi se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht vazhdim i luftës me Iranin, ndërsa Araghchi e cilësoi këtë veprim si joserioz.
“Nuk është e qartë nëse SHBA-të janë vërtet serioze për diplomacinë”, shkroi Araghchi në platformën X.
