Araghchi mbërriti në Islamabad për të diskutuar propozimet për rifillimin e bisedimeve të paqes me SHBA-në

TË FUNDIT

Ministria e Jashtme e Pakistan konfirmoi mbërritjen e delegacionit iranian dhe njoftoi se ministri Araghchi do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë pakistanezë për përpjekjet paqësore. Burime pakistaneze thanë më herët se një ekip amerikan për logjistikë dhe siguri tashmë ndodhet në Islamabad për bisedime të mundshme, ndërsa në qytet është vërejtur prani e shtuar e policisë dhe ushtrisë.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iran deklaroi në platformën X se pala iraniane nuk planifikon takim me përfaqësues amerikanë dhe se shqetësimet e saj do t’i përcillen Pakistanit. Edhe burime pakistaneze konfirmuan se nuk pritet takim mes Araghchi dhe negociatorëve amerikanë në Islamabad.

Menjëherë pas mbërritjes, Araghchi u takua me ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Ishaq Dar, në hotelin “Serena”, ku u mbajt edhe raundi i parë i bisedimeve me SHBA-në. Para nisjes, ai kishte deklaruar se do të vizitojë Pakistanin, Omanin dhe Rusinë për koordinim të qëndrimeve mbi çështje bilaterale dhe rajonale.

Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se të dërguarit specialë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të udhëtojnë në Pakistan për bisedime me përfaqësuesin iranian. Ajo shtoi se SHBA-të kanë vërejtur progres nga pala iraniane ditët e fundit dhe shpresojnë që ai të vazhdojë gjatë fundjavës.

Leavitt shtoi se nënpresidenti J.D. Vance është i gatshëm të udhëtojë në Pakistan për t’iu bashkuar bisedimeve, nëse ato rezultojnë të suksesshme.