Po vijon thirrja publike për ndarjen e subvencioneve të amvisërive dhe të subjekteve të tjera për pastrim të oxhaqeve, si një nga masat për uljen e pasojave nga ndotja e ajrit, përkujtojnë nga Qyteti i Shkupit.
Me këtë masë, siç thonë, Qyteti do të kompensojë një pjesë të shpenzimeve të amvisërive dhe të subjekteve të tjera për pastrim të oxhaqeve, në vlerë neto më së shumti deri në 1.200 denarë, ndërsa për subvencione mund të dorëzojnë kërkesë persona fizikë ose juridikë me vendbanim gjegjësisht seli në rajonin e Qytetit të Shkupit.
“Subvencionet vlejnë edhe për oxhaqe të pastruara prej 01.01.2020, ndërsa Thirrja publike zgjat deri më 30.11.2020 dhe do të realizohet sipas parimit “i pari vjen i pari shërbehesh”, gjegjësisht deri në realizimin e mjeteve të parapara për këtë qëllim me Buxhetin e Qytetit të Shkupit për vitin 2020. Më shumë informacione për thirrjen publike mund të merren në https://skopje.gov.mk/media/4997/javen-povik-cistenje-odzaci-2020.pdf”, informojnë nga Qyteti i Shkupit dhe shtojnë se rekomandohet që oxhaqet të pastrohen tre herë në vit, dy herë gjatë sezonit të ngrohjes dhe një herë kur të përfundojë ajo.
Qyteti i Shkupit këtë masë tashmë e realizoi në vitin 2018 dhe 2019, kur ishin ndarë gjithsej 634 subvencione. Atëherë vlera e subvencionit ishte më së shumti deri në 1.000 denarë.
