Apeli i ambasadorëve: VMRO të tregojë përkushtim, LSDM të ndërpresë publikimin e "bombave"

TË FUNDIT

Diplomatët e huaj në Maqedoni janë të zhgënjyer për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Përzhinos dhe të skadimit të afateve për një marrëveshje përfundimtare. Në emër të SHBA-ve, BE-së, të Britanisë së Madhe, të Gjermanisë, të Francës dhe të Italisë ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Geret, kërkoi përfundim të menjëhershëm të të gjitha çështjeve të pazgjidhura të Marrëveshjes së Përzhinos, sepse sipas tij, kjo është mënyra më e mirë që të dilet nga kriza politike.

“Të premten në mbrëmje u takuam me Gruevskin dhe shprehëm zhgënjimin tonë për mosrespektimin e afateve deri më 20 tetot nga Marrëveshja e Përzhinos lidhur me ministrat e rinj. Apelojmë deri te VMRO-DPMNE-ja që të tregojë përkushtim dhe ta implementojë marrëveshjen në mënyrë konstruktive dhe të domosdoshme me vullnet të mirë. Besojmë se zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinos është mënyra më e mirë që të dilet nga kriza politike. Nga kryeministri, Gruevski, kërkojmë që ta inkurajojë ekipin e tij që të përfundojnë të gjitha çështjet e pazgjedhura nga Marrëveshja e Përzhinos dhe zbatim të menjëhershëm të saj”, tha Çarls Geret, Ambasadori i Britanisë në RM.

Ambasadori i Britanisë kërkoi nga LSDM-ja që të mos i publikojnë të ashtuquajturat “bomba” dhe ta respektojnë rolin e tyre për bisedimet konstruktive. Njëherazi, ambasadorët kërkuan prokurores speciale, Katica Janevës, t’i mundësohen të gjitha mjetet e nevojshme për punën e saj. Ai tha:

“Në qoftë se Marrëveshja nuk zbatohet, kjo do të reflektohet edhe në raportin e Komisionit evropian. Qeveritë, sidomos kreu i tyre, kanë përgjegjësi të veçantë në kohë krizash politike. Në qoftë se veprojnë menjëherë dhe duke vepruar, tregojnë se me të vërtetë kanë vullnet të mirë, bashkësia ndërkombëtare është e gatshme të ndihmojë”.

Të gjitha partitë duhet që interesat e shtetit t’i vendosin në radhë të parë dhe ta konfirmojnë angazhimin e tyre për integrimet euro – atlantike të Maqedonisë dhe për parimet demokratike, porositi ambasadori Geret në emër të vendit të tij, por edhe në emër të BE-së, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe SHBA-së.