Është ndryshuar vendimi që Boban Iliçit t’i shtyhet vuajtja e dënimit me burg për 3 muaj.
Kjo vjen pasi Prokuroria është ankuar për vendimin paraprak të Këshillit Penal të Gjykatës Themelore të Kumanovës, me të cilin i shtyhej paraqitja në burg Iliçit për 3 muaj.
Kështu, Boban Iliçi duhet të paraqitet në burg menjëherë pasi ta pranojë vendimin.
“Prokuroria e pakënaqur nga vendimi i sjellë, ka dorëzuar ankesë që më 22 janar 2021, me të cilin kërkoi që Këshilli penal gjatë Gjykatës Themelore në Kumanovë ta ndryshojë vendimin në drejtim që i dënuari menjëherë ta vuajë dënimin”, njoftojnë nga Prokuroria e Kumanovës, transmeton TV21.
Pas kësaj, Gjykata e ka ndryshuar vendimin dhe i dënuari është i obliguar të paraqitet në burg menjëherë pasi ta pranojë vendimin.
Shtyrje të mbajtjes së dënimit ka kërkuar edhe babai i Almir Aliut, i cili është i dënuar me 6 muaj burg. Por për këtë ankesë të Sedat Aliut Këshilli Penal duhet të sjellë vendim për 2-3 ditë.
Thirrja e Sedat Aliut që ta vuajë dënimin, ka revoltuar qytetarët të cilët më 22 janar protestuan para Gjykatës Themelore në Kumanovë. Protesta erdhi pasi Gjykata e Apelit e konfirmoi dënimin me 6 muaj burg për babain e Almirit dhe nga 9 muaj për dy familjarët e tij, ndërkohë ka ulur dënimin nga 6 në 4 vite burg për Boban Iliçin. 4-vjeçari Almir Aliu u shkel për vdekje me makinë nga Boban Iliqi më 4 korrik të vitit 2016./TV21
