Anulohen 3 licenca për lojëra të fatit online, Mexhiti: Përgjegjësi për ata që jashtëligjshëm lejuan këto shoqëri tregtare

TË FUNDIT

Tre licencat që janë dhënë për organizimin e lojërave të fatit online do të anulohen ndërsa shoqëritë tregtare do të mbyllen, pohon zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti. Sipas tij, ky vendim vjen pas interpretimit autentik të ligjit për lojëra të fatit nga ana e komisionit ligjvënës dhe pas konfirmimit nga ana e Kuvendit për kërkesën e koalicionit VLEN për interpretim autentik. Mexhiti paralajmëroi se do të mbajnë përgjegjësi ata që në mënyrë jo ligjore lejuan hapjen e këtyre shoqërive tregtare.

“Për këtë është mendimi autentik i cili e ka vërtetuar se ligji ka të bëjë vetëm me një licencë, sepse nuk ka logjikë sepse nuk ka logjikë që kompania shtetërore t’i bëjë konkurencë vetvetes, të jetë edhe këtu edhe tek tjerët. E rëndësishmja është që u vërtetua në Parlament me interpretimin autentik që është vepruar në mënyrë joligjore. Këto prej sot janë në mbyllje e sipër dhe ata që kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.

Interpretimi autentik ka të bëjë vetëm me kazinotë online. Për objektet nëpër lagje, shumica qeveritare po përgatitë propozim-ligj që të njëjtat të largohen nga vendbanimet dhe numri i tyre të ulet së paku për 50%.

“Vendimi me interpretimin autentik ka të bëjë me kazinot online. Kazino në fakt është futur në shtëpitë tona. Të rinjtë janë bërë pre e bixhozit dhe dukurive devijante. Kjo çështje sot mbyllet, dmth këto tre licenca mbyllen. Ndërsa po punojmë në draft ligjin e ri që duhet ta sjellë Qeveria dhe e cila do të ketë norma shumë më rigoroze dhe do të mbyllë një numër të madh të bastoreve dhe kazinove që janë nëpër lagjet dhe vendbanimet tona”, shtoi zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.

Përndryshe për koalicionin VLEN kontestues ishte neni 7, alinea 3, nga ligji për lojërat e fatit. Ky nen sipas VLEN, lejon Lotarinë Shtetërore të themelojë shoqëri tregtare pa kufi për organizim të lojërave të fatit. Nga ana tjetër edhe Aleanca për Shqiptarët në Kuvend pati dorëzuar propozim ligj për mbylljen e lojërave të fatit, ndërsa pasi VLEN kërkoi interpretim autentik, këtë propozim të ASH-së e mbështetën edhe partnerët e Frontit Europian. Megjithatë, propozim ligji i tyre pak ditë më parë u refuzua në Kuvend, gjegjësisht u hoq nga rendi i ditës.