Anulimi i vizitës së Witkoff dhe Kushner në Pakistan, Trump thotë se kjo nuk nënkupton vazhdimin e luftës në Iran

TË FUNDIT


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se anulimi i udhëtimit të përfaqësuesve të tij në Pakistan, nuk do të thotë domosdoshmërisht vazhdim i luftës me Iranin.

“Nuk do të thotë kjo. Ende nuk kemi menduar për këtë,” tha Trump në një bisedë telefonike për portalin Axios.

I pyetur nëse mosdërgimi i Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Islamabad mund të interpretohet si hap drejt një rundi të ri përplasjesh, ai theksoi se një skenar i tillë nuk është në plan.

Trump më herët njoftoi anulimin e udhëtimit për delegacionin amerikan në Islamabad, për bisedime me Iranin. Ai tha se i kishte thënë Witkoff dhe Kushner: “Nuk do të fluturoni 18 orë për të shkuar atje, ne i kemi të gjitha kartat në dorë.”

Në lidhje me: Trump anuloi udhëtimin e Witkoff dhe Kushner në Pakistan! Delegacioni iranian mbaroi vizitën në Islamabad

Sipas tij, nuk do të dërgojë më përfaqësues në udhëtime të gjata “për të qëndruar dhe për të biseduar për asgjë”.

Ndërkohë, mediat iraniane raportojnë se ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, pas takimeve me shefin e ushtrisë pakistaneze Asim Munir dhe kryeministrin Shehbaz Sharif, është larguar nga Islamabadi.

Araghchi tha se në Islamabad ka paraqitur qëndrimet parimore të vendit të tij.