Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit kërkon masa kundër ministrit të bujqësisë, Arjanit Hoxha për konflikt interesash. Siç dihet, Hoxha para se të bëhet ministër ka pasur kompani për kultivim dhe prodhim të peshqve. Pishina e peshqve gjendet në Vërtok ndërsa në nivel vjetor gjoja prodhon nga 120 tonë peshq. Tani kompania është në emër të bashkëshortes së tij.
Kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska njofton se do të dërgohet kërkesë deri te personi i autorizuar për ndjekje të kodeksit etik të Qeverisë që të ndërmerren masa adekuate ndaj ministrit Hoxha.
Paraprakisht, Ivanovska foli edhe për deklaratën e ministrit Hoxha i cili ka thënë se udhëheqja e kompanisë private është biznes privat dhe nuk ka asnjë konflikt interesash për shkak se ai nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti.
KSHPK votoi edhe masë kundërvajtëse për shkelje të nenit 47, paragraf 2, aline 3 nga Ligji për parandalim të korrupsionit dhe konflikt interesash nga ana e personit zyrtar Kushtrim Ramadani, drejtori i përgjithshëm dhe anëtar i Bordit drejtues të SHA MEPSO.
