Antikorrupsioni: Dorëheqja e Rashkovskit nuk ndikon në punën e lëndëve

TË FUNDIT

Dorëheqja e ish sekretarit të përgjithshëm të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ndikon në punën e lëndëve lidhur me të dhe aktiviteti do të vazhdojë konform kompetencave dhe procedurave, informojnë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).

“Lidhur me çështjen e parashtruar nga më shumë media, nëse KSHPK do të vazhdojë me aktivitetin për lëndët lidhur me Dragi Rashkovskin, KSHPK informon se dorëheqja e ish sekretarit të përgjithshëm të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ndikon në punën për lëndët e përmendura. Aktiviteti do të vazhdojë konform kompetencave dhe procedurave të KSHPK-së”, thuhet në kumtesën e KSHPK-së.

Dragi Rashkovski në publikimin në Fejsbuk mëngjesin e sotëm ka shkruar se tërhiqet nga funksioni Sekretar për monitorim dhe mbështetje të institucioneve gjatë realizimit të programit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai në publikim e ndau letrën që ia ka drejtuar kryeministrit Zoran Zaev ku i sqaron arsyet për, siç thekson, “tërheqjen e parevokueshme nga funksioni”.

Zëdhënësi i qeverisë, Dushko Arsovski sot në konferencën për shtyp ka informuar se kryeministri e ka pranuar dorëheqjen e Rashkovskit.