Anita Topollova Isajllovska është zgjedhur për u.d. kryeprokurore. Këshilli i Prokurorëve Publikë e zgjodhi njëzëri dhe ajo ishte propozimi i vetëm për pasardhëse të përkohshme të Lupço Kocevskit. Në arsyetimin për propozimin që Topollova-Isajllovska të emërohet, u theksua se aktualisht është zëvendës kryeprokurore dhe në këtë funksion ka tashmë gjatë kohë, që nga koha e Marko Zvërlevskit. Mendoj se Topolova-Isajllovska është një zgjidhje parimore, tha anëtarja e Këshillit Keti Petkova, e cila edhe e propozoi për u.d. kryeprokurore.
“Në vazhdimësi për 10 vjet ka qenë zëvendëse, e njeh atë funksion dhe mendoj se nuk do të paraqesë problem që për disa muaj ta ushtrojë funksionin, jo vetëm për të, por edhe për tërë Prokurorinë; për këto arsye, për shkak të një zgjidhjeje parimore dhe jo personale”, tha Keti Petkova – anëtare e Këshillit të Prokurorëve Publik.
Topolova-Isajllovska do ta ushtrojë funksionin deri në emërimin e një kryeprokurori të ri, për çka pritet që Qeveria t’i dorëzojë Kuvendit propozim për shpalljen e konkursit, me çka do të fillojë edhe procedura për zgjedhën e kryeprokurorit. Ushtruesi i detyrës emërohet nga radhët e prokurorëve publikë.
“Ky është detyrimi ynë sipas ligjit, sepse kryeprokurorin e zgjedh Kuvendi me propozim të Qeverisë, ndërsa për ushtrues detyre, sipas ligjit, parashihet që në situata të tilla, kur ndonjë prokurori publik i skadon mandati ose jep dorëheqje, ne, sipas ligjit, jemi të obliguar që të ketë vazhdimësi në punën e Prokurorisë Publike Republikane dhe të zgjedhim ushtrues detyre të kryeprokurorit”, shtoi Bashkim Besimi – kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publik.
Topollova-Isajllovska përkohësisht do ta ushtrojë funksionin e kryeprokurores – më së shumti deri në 6 muaj. Emërimi i saj vjen pasi Lupço Kocevski dha dorëheqje para mbajtjes së seancës kuvendore për shkarkimin e tij.
