Lufta kundër bixhozit dhe largësia sa më e madhe nga qendrat e vendbanimeve është një pikë që po e bashkon BDI-në qeveritare dhe “Aleancën” opozitare.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në emisionin Klik Plus tha se tashmë BDI ka nisur iniciativë për një zgjidhje për tejkalimin e problemeve ekzistuese me lojërat e fatit.
Ai tregon se ka mbështetje të partnerit të koalicionit për procedurat e dhënies së licencës, por ende janë në negociata e sipër për distancën e bastoreve dhe kazinove.
“Ne besojmë se është e pranueshme edhe për partnerët e koalicionit dhe do të ndryshohet procedura e dhënies së licencave, dhe sa i përket largësisë unë kam qëndrimin tim personal, do të zhvillohet me siguri edhe debat në kuadër të Kuvendit që në qendrat e qytetit dhe sigurisht para objekteve fetare por njëkohësisht edhe shkollave, ku është me shumë rëndësi, të mos ketë bastore dhe kazino”, theksoi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët Elmi Haziri tha se do të ishte mirë që Maqedonia të ndiqte shembullin e Shqipërisë që lojërat e fatit i ka nxjerrë jashtë vendeve të banuara, për ta mbajtur larg vesin e bixhozit që si ai, poashtu edhe Bekteshi e quajtën “të tmerrshëm”.
“Do të kisha dashur që të kemi një vendim si në Shqipëri. Por tani ‘Aleanca për Shqiptarët’ sigurisht se nuk është aktori i vetëm në këtë proces dhe nëse ajo është e pamundur atëherë unë do të kisha dëshiruar që këto lojëra të fatit të jenë shumë larg, jo vetëm shkollave dhe objekteve fetare, por të jenë absolutisht jashtë në periferi që njerëzit, fëmijët në momentin që dalin nga shtëpia ballafaqohen me kazino, bastore, lojërat e fatit”, tha Elmi Aziri, nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Bekteshi: është e tmerrshme! Pajtohem plotësisht.
Aziri: Është e tmerrshme!”
Emisionin e plotë “Click Plus” ku do të debatohet për lojërat të fatit, Kodrën e Diellit, gjendjen e ekonomisë në vend, e tema të tjera, do të keni mundësi ta ndiqni nesër, e hënë, në orën 21:30.
Përgatiti: Besir Arifi
