Igor Angelovski, mandati i trajnerit të të cilit mbaron sot, tha në një intervistë për mediat vendase se ai është i gatshëm të udhëheq pa kushte ekipin kombëtar të futbollit të Maqedonisë në Kampionatin Evropian (KE) në vitin 2021.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muamed Sejdini, njoftoi në fillim të kësaj jave se emri i trajnerit që do të drejtojë ekipin kombëtar në Kampionatin Evropian verën e ardhshme do të dihet së shpejti, duke shtuar se Angelovski do të jetë i pari me të cilin FFM do të negociojë.
“Falënderoj kryetarin Sejdini që më konsideroi zgjedhjen e parë, mendoj se e meritova me rezultatet e arritura. Unë dua të informoj publikun se jam i gatshëm të pranoj të gjitha kushtet e ofruara në formën e një marrëveshje nga FFM dhe ta nënshkruaj atë”, deklaroi Angelovski në një intervistë të gjerë për portalin “makfudbal.mk”.
Angelovski shtoi se ai ishte i gatshëm “për të gjitha detajet e marrëveshjes të bëhen publike në konferencë për media”.
“Nuk dua që publiku të marrë përshtypjen e gabuar se disa kushte do të vendosen nga unë. Unë gjithmonë e vë interesin kombëtar përpara personal,” tha Angelovski.
Angelovski dyzet e katër vjeç u ul në karrigen e trajnerit në nëntor të vitit 2015 dhe pesë vjet më vonë e çoi ekipin kombëtar të Maqedonisë në finalet e kampionatit evropian, i cili do të mbahet nga 11 qershor deri më 11 korrik të vitit të ardhshëm.
