Rruga e vetme për anëtarësin e vendit në BE është anëtarësimi i plotë me të drejtë vote, është qëndrimi ASH-së-Taravari – pjesë e Koalicionit AKI. Sipas Valbon Limanit nga kjo parti, çdo lloj anëtarësimi duhet të bazohet në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, përfshirë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, ndërsa për një anëtarësim të kushtëzuar do të deklarohen vetëm nëse ka propozim konkret.
“Jemi për anëtarësimin e plot të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe besoj se kjo është rruga e vetme është biseduar për një mundësi të këtillë por këto janë vetëm ide të cilat i kanë hedhur nuk ka asgjë konkrete por edhe kur do të bisedojmë për një anëtarësim të këtillë, padyshim në këtë rast duhet të plotësohen kriteret e Kopenhagës ato kriteret politike dhe këtu gjithsesi bëjnë pjesë edhe shteti i së drejtës, edhe të drejtat njerëzore dhe shumë faktor të tjerë të cilat duhet të jenë të përmbushura për të qenë pjesë edhe në këtë mënyre e BE, në qoftë se ka diçka konkrete atëherë do të prononcohemi rreth asaj a jemi apo nuk jemi për anëtarësim të kushtëzuar”, u shpreh Valbon Limani – Ash-Taravari, AKI.
Nga koalicioni VLEN thonë se po analizohen të gjitha opsionet për përshpejtimin e integrimit evropian, përfshirë edhe modelet e anëtarësimi me faza.
“Në kuadër të VLEN po shqyrtohen seriozisht të gjitha opsionet që do të nënkuptonin përshpejtimin e integrimit evropian të shtetit, përfshirë edhe modelet e anëtarësimit me faza. Fokusi ynë është që shteti të bëhet pjesë e familjes evropiane sa më shpejt që të jetë e mundur, me përfshirje aktive në politikat dhe proceset e Bashkimi Evropian”, thonë nga VLEN.
Edhe partia opozitare LSDM me kritika ndaj këtij propozimi, për LSDM opsioni i vetëm dhe i pranueshëm është anëtarësimi i plotë me të gjitha të drejtat. Ky propozim nuk konsiderohet i mirë as nga Unioni pan-evropian pasi sipas tyre, mund të ngadalësojë integrimin dhe të krijojë vende me status të ndryshëm.
Kujtojmë se për një skenar të këtillë që Maqedonia, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në fillim të vitit 2027 të bëhet anëtare e BE-së, por pa të drejtë vote, ditë më parë foli kryeministri Mickoski, duke thënë se është pjesë e skenarit të paqes për Ukrainën dhe eurointegrimet. Megjithatë, cilido qoftë opsioni për anëtarësim, ndryshimet kushtetuese mbeten obligim.
