Në “Elbasan Arena”, kombëtarja e Shqipërisë nesërmbrëma zhvillon ndeshjen me Serbinë, sfidë e cila mund të jetë vendimtare për kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian vitin e ardhshëm në Francë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet mesazhit në faqen e tij zyrtare në Facebook kërkon lojë të qetë, atmosferë festive dhe të tregohet sjellje evropiane, kurse takimin e quan “një sfidë për historinë”.
Edhe te shqiptarët e Maqedonisë, një interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Shqipëri – Serbi. Komuna e Çairit organizon ndjekjen e këtij spektakli në Sheshin “Skënderbeu”, vendi ku të rinjtë nëpërmjet video-projeksionit kanë mundësinë ta përcjellin nga afër rrjedhën e takimit Shqipëri – Serbi.
Analistët e sportit në Maqedoni, Mahir Thaçi dhe Mustafa Ademi, pajtohen që kjo ndeshje është vendimtare, por njëkohësisht apelojnë që ndeshja të zhvillohet në atmosferë sportive, sepse çdo gjë jashtë kësaj, sipas tyre, nuk është në dobi të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi.
“Do të jetë një ndeshje mjaft interesante, me mjaft nxitje dhe emocione do të përcillet nga gjithë kombi shqiptar. Presim të jetë një ndeshje e qetë në fushën e futbollit. Natyrisht, kërkojmë të gjithë fitoren të kombëtares së Shqipërisë. Jashtë asaj, nuk dua që – e tanimë kanë filluar disa të flasin për incidente të ndryshme – nuk besoj që do të ketë incidente, do të rrjedhë në nivelin më të duhur. Serbia do të kërkojë fitoren, për shkak të anulimit të asaj që ka ndodhur më parë, domethënë ka eliminatore të ndaluara dhe ndoshta në këtë ndeshje ata duan të shlyejnë borxhin ndaj publikut të vet”, theksoi Mahir Thaçi, gazetar sporti.
“Nga pikëpamja ime, ndoshta momenti kyç i ndeshjes do të jetë atmosfera në stadium, atmosfera e cila shpresoj dhe jam i sigurt që do t’u japë krahë futbollistëve tanë për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje. Shpresoj që të shfrytëzojmë lojën e dobët të Serbisë kohëve të fundit dhe të arrijmë të fitojmë. Me një dështim eventual të reprezentacionit të Danimarkës ndaj Portugalisë, jam i bindur dhe shpresoj që të enjten në orën 22:30, apo pak më vonë, të gëzohemi të gjithë në plasmanin e kombëtares tonë në Kampionatin Evropian“, vlerëson Mustafa Ademi, po ashtu gazetar sporti.
Omer Bunjaku, përfaqësues i grupit të tifozëve “Shvercerat”, për televizionin tonë deklaroi që mundësitë për fitore të kombëtares janë të mëdha, dhe apeloi që tifozët e pranishëm në “Elbasan Arena”, por dhe jashtë saj, të tregojnë sjellje dhe maturi për t’iu shmangur çdo incidenti, i cili do të mund të nxisë trazira. “Unë si tifoz nuk mendoj në asnjë rezultat tjetër veç fitores, ku shpresoj dhe besoj që do të arrijmë fitore në këtë ndeshje historike të quajmë të kombit. Pres prej lojtarëve të japin maksimumin, nuk dyshoj aty. Sa u përket incidenteve, më së paku ato i takojnë kombëtares tonë dhe lus të gjithë, të gjithë ata që do të jenë të pranishëm në “Elbasan Arena”, por edhe ata që do të jenë në vende të ndryshme, të mos bëjnë incidente. Të tregohemi edhe një herë se jemi popull evropian, ne nuk jemi të dhunës dhe nuk jemi huliganë”, shtoi Bunjaku.
Tifozi kuqezi po ashtu kërkoi që shqiptarët të jenë të pranishëm në numër sa më të madh në Sheshin “Skenderbe”, ku do të transmetohet drejtpërsëdrejti ndeshja kualifikuese mes Shqipërisë dhe Serbisë.
“Ne, si çdo ndeshje këtu në sheshin “Skenderbeu” – faktikisht është bërë si traditë – ne do të jemi këtu. Apeloj deri te të gjithë qytetarët e Shkupit, jo vetëm “Shvercerat” por të gjithë qytetarët e Shkupit, të vijnë së bashku të përkrahim kombëtaren prej këtu dhe të festojmë fitoren e madhe”.
Ndërkohë, gjiganti mediatik botëror ESPN po përcjell nga afër përgatitjet për ndeshjen në “Elbasan Arena”. Pritet që ata të realizojnë një film dokumentar me titullin “Ballkan Match” (Ndeshja Ballkanike). Theks kryesor ESPN do të vendosë në ngjarjet në fushë, por edhe në tribuna dhe në sjelljen e tifozëve.
Ndeshja e parë mes Serbisë dhe Shqipërisë u ndërpre pas dhunës që iu nënshtruan futbollistët shqiptarë. Pas analizave disamujore nga ana e UEFA-së, tri pikët iu dhanë Shqipërisë.
Blerim Ismaili
