ANALIZË E TV21, ME CILAT VOTA PENDAROVSKI U BË PRESIDENT?

TË FUNDIT

Me 58.499 mijë vota më shumë se Gordana Siljanovska Davkova, Stevo Pendarovski është presidenti i ri i Republikës së Maqedonisë së Veriut. TV21 bëri një analizë të rezultateve zgjedhore. Prej ku morën përkrahje më të madhe kandidatët?

Nëse i shohim rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme, dje humbën të gjitha partitë.

Gordana Siljanovska e cila ishte kandidat i koalicionit VMRO-DPMNE, por e përkrahën edhe disa parti më të vogla si për shembull partia GROM, dje fitoi 377.713 vota. Kjo është 11,63% më pak se votat që i morën partitë që e përkrahën atë, në zgjedhjet lokale – 338.368. Nëse bëhet krahasim me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016, rezultati i Siljanovskës është për rreth 16% më i dobët nga votat e atëhershme, 449,533.

Stevo Pendarovski i cili ishte kandidat i LSDM-së me përkrahjen e BDI-së dhe PDSH-së, dje fitoi 436.212 vota. Nëse merren parasysh rezultatet e LSDM-së, BDI-së, PDSH-së në zgjedhjet lokale në vitin 2017, humbje e votave te pushteti për vetëm një vit e gjysmë është 17% prej votave të atëhershme 523.170. Nëse rezultati krahasohet me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, dallimi është rreth 12% prej votave të atëhershme 551,953 për LSDM, BDI dhe PDSH.

Por, edhe analistët në studion e hapur, mbrëmë në TV21 u dakorduan se Blerim Reka në mënyrë indirekte u bëri thirrje votuesve të tij ta përkrahin Stevo Pendarovskin.

“Komunat me shumicë shqiptare dolën dhe mundësuan që procesi të jetë i suksesshëm, kuptohet se vota është e fshehur, por me siguri mund të supozojmë se pjesa më e madhe e votave shkuan në konto të kandidatit i cili premtonte dhe angazhohej për NATO dhe BE”, u shpreh Imer Selmani, analist.

Analiza që e bëri TV21 tregon se votat e Rekës shkuan te Pendarovski.

Nëse mblidhen votat që i fituan Blerim Reka dhe Stevo Pendarovski në rrethin parë në zgjedhjet e gjashta presidenciale, rezultatet tregojnë se janë të ngjashme me votat që i fitoi Stevo Pendarovski në rrethin e dytë.

Stevo Pendarovski fitoi më shumë vota në Zhelinë, 96%, ndërsa Siljanovska Davkova vetëm 1,42%. Pastaj vijojnë Bogovinë, Likovë, Haraçinë, Studeniçan, Vrapçishtë dhe Dibër. Në të gjitha këto komuna dominon popullata shqiptare.

Ahmeti mbrëmë nga Tetova tha se Pendarovski ka fituar mbi 100 mijë vota nga aktivistët e tyre.

“Pa hyrë në detaje por nga të dhënat që më jep sektori analitik me thotë se lëvizet prej 100 deri në 137 mijë vota të cilat janë siguruar në rrethin e dytë nga aktivistë tanë nga votues shqiptarë”, theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Por, Zaevi nuk pajtohet me deklaratën e Ahmetit.

“Të mos bëhemi kryelartë edhe ne politikanët kaq shumë. Askush nuk i mban votuesit në xhep… ai ka siguruar apo nuk ka siguruar…. Qytetarët i përkrahin politikat dhe individët”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nga partia opozitare thonë se edhe pse kanë qenë nën përndjekje politike, megjithatë kanë arritur të fitojnë afër 380 mijë vota.

“Sipas asaj që kishim mundësi ta analizojmë, bëhet fjalë për diku 130-140 mijë vota shtesë, që janë në zonat me shumicë shqiptare dhe ku Stevo Pendarovski ka fituar 98,8% e votave, kurse të tjerat janë votat e Gordanës Siljanovska Davkova dhe fletëvotime të pavlefshme”, potencoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Sa është rejtingu i partisë në pushtet, kundrejt opozitares më të madhe, në këtë moment nuk mund të vlerësohet, sepse Pendarovski pati mbështetje edhe nga partitë e shqiptarëve.

Përgatiti: Jovica Paunoski