Kërkesat dhe vullneti i votuesve të koalicionit VLEN, ka mundësi që të bëhet shkaktar që katër partitë politike pjesë e këtij koalicioni, të shkrihen në një parti të vetme. Për këtë qëllim, të shtunën në Tetovë u mblodh trupi koordinues i këtij koalicioni i formuar nga nëntë përfaqësues, përfshirë këtu dhe katër liderët, Arben Taravari, Bilall Kasami, Izet Mexhiti e Zeqirija Ibrahimi. Kjo iniciativë, siç thanë krerët e VLEN-it, tregon për frymën e bashkëpunimit brenda koalicionit.
Analistët politik e përshëndesin këtë iniciativë. Politikologu Xhenur Iseni, shprehet se bashkimi i VLEN-it është i natyrshëm pasi për “opozitën e bashkuar” për herë të parë votuan mbi 100 mijë shqiptarë.
Bashkimi i partive të VLEN-it, paraqet hap normal edhe për analistin Albert Musliu. Për TV21, thotë se përmes strukturave të përbashkëta, do të funksiononin më të harmonizuar.
Sipas analistëve, shkrirja e VLEN-it në një parti të vetme, nuk do të paraqiste problem sepse prezenca e tyre në qeveri dhe përmbushja e apetiteve grupore e pamundëson pakënaqësinë dhe rivalitetin se kush do të jetë në krye të partisë së ardhshme. Bashkimi i tyre do të jetë më i lehtë nëse partitë nuk fokusohen në imtësira, thonë ata.