Kryetarja e Amsterdamit, Femke Halsema, propozoi t’u ndalohet turistëve t’i vizitojnë “kofi-shopët” e qytetit ku, fillimisht shitet dhe konsumohet marijuana.
Ajo dëshiron ta zvogëlojë “tërheqjen e Amesterdamit si destinacion për turizëm për drogë të lehtë”, shkroi në letrën drejtuar Këshillit të qytetit.
“Viteve të fundit, kemi parë se kërkesa për kanabis në Amsterdam është rritur në përmasa të mëdha”, deklaroi Halsema në intervistën për televizionin publik NOS.
“Kjo kryesisht i referohet rritjes së numrit të turistëve, shtoi ajo, duke theksuar se disa prej tyre janë “kanabis turistë” të cilët vijnë në Amsterdam vetëm për ta konsumuar drogën.
Këta “turistë” janë burim i problemeve për qendrën e qytetit, tha kryebashkiakja.
“Amsterdami është qytet ndërkombëtar dhe ne i përshëndesim turistët, por dëshirojmë të kemi turistë që vijnë për shkak të pasurisë së qytetit, për bukuritë e tij, institucionet kulturore”, tha ajo për televizionin publik holandez.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetit Publik, Holanda i ka 570 “kofi shop”, ndërsa sipas të dhënave të Amsterdamit, në këtë qytet janë 166 ose 30 për qind nga e gjithë Holanda.
Nga viti 1970, qeveria holandeze i toleron ato dyqane që shesin kanabis, por prodhimi dhe furnizimi me kanabis, megjithatë mbeten të paligjshme.
