Amnistia nuk duhet të ndodhë pjesërisht, por këtu duhet të përfshihen edhe raste tjera të montuara politike si “Monstra”, “Lagja e Trimave”, “Alfa” e të tjera. Kështu deklaroi ish kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela i ftuar në Click Plus.
“Nëqoftëse duhet të amnistojmë të tillë politikanë dhe figura të tilla politike, atëherë kjo duhet të shkojë paralelisht edhe me çështje tjera të cilat duhet të bëhet amnisti e përgjithshme. Ka shumë tema tjera, Monstra, Lagja e trimave, që është rezultat i atij regjimi të mbrapsht që e solli këtë, a t’i hapim të gjitha temat? Nuk mundet temat të hapen parciale!”, theksoi Ziadin Sela – deputet i ASH-së.
Se ndryshimet në pjesën e amnistisë në kodin penal, kanë të bëjnë me ish kryeministrin Nikolla Gruevski, së pari e shpalosi opozita shqiptare. Ata deri tani pyetën kreun e BDI-së Ali Ahmeti nëse siç thonë, ka lutur deri në qiell disa ndërkombëtarë për të lejuar amnistimin e Nikolla Gruevskit. Dje gjithashtu kreu I Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, pyeti ministrin e jashtëm Bujar Osmani nëse ka qenë në vizitë zyrtare apo private kur e takoi Nikolla Gruevskin në Budapest. Ndaj kësaj ironizoi vet ministri Osmani. Ai shkroi se së pari thoshin që e ka takuar Ahmeti, pastaj Artan Grubi, e tani vet ai. “Ndoshta me të katërtën I’a qëllojnë”, tha kreu I diplomacisë.
Spekulimet për amnistimin e Gruevskit e detyruan të reagojë vet personin në fjalë. Përmes profilit të tij në Facebook, Gruevski shkruan se ai nuk ka kërkuar nga askush amnisti tek presidenti Pendarovski. I bëri thirrje presidentit që të tregojë publikisht cilët persona paskan kërkuar amnisti për të.
“Nga askush nuk kam kërkuar të kërkojë amnisti për mua tek presidenti aktual i Maqedonisë, Pendarovski. Thërras presidentin e Republikës i cili tha se disa persona kanë biseduar me të për amnistimin tim, të tregojë publikisht kush ka kërkuar. Derisa vazhdojnë përndjekjet politike në Maqedoni ndaj meje dhe të tjerëve, Maqedonia nukj do të ketë përparim”, shkroi Nikolla Gruevski – Ish kryeministër.
E sa i përket ndryshimeve në kodin penal, kreu i BDI-së Ali Ahmeti në emisionin Ndryshe të TV21 u shpreh se kjo çështje është hapur qysh para tre viteve ndërsa disa herë kishte realizuar takime të fshehta me Zaevin dhe Gruevskin. Qëllimi siç tha, ishte harmonizimi i kodit penal sipas standardeve europiane.