Amendamenti për shkollën e ndërtuar është gabim, Stojanovski nga VMRO-DPMNE thotë se është tërhequr

TË FUNDIT

Amendamenti i dorëzuar për një shkollë tashmë të ndërtuar është gabim teknik i shërbimeve, shpjegon Bojan Stojanovski, kryetar i Komisionit për Financa dhe Buxhet dhe një nga nënshkruesit e amendamentit që e dorëzuan disa deputetë të VMRO-DPMNE-së. Publiku reagoi se kërkohen 92 milionë denarë për ndërtim të një shkolle me efikasitet energjetik, shkollë kjo e cila tashmë është ndërtuar dhe të cilën kryetari Timço Mucunski në fillim të këtij viti e lëshoi në përdorim.

“Ka spekulime në opinion, amendament i këtillë në procedurë nuk ekziston, për shkak se menjëherë kur u konstatua se bëhet fjalë për gabim teknik, amendamenti u tërhoq nga procedura dhe mbi të nuk do të debatohet. Ne, 14 deputetë, nënshkruam disa amendamente që kanë të bëjnë me arsim dhe që kërkojnë ndërtim dhe rikonstruktim të shkollave fillore në disa komuna madje edhe në disa komuna ku kryetarët janë të LSDM-së”, tha Bojan Stojanovski, kryetar i Komisionit për Financim dhe Buxhet.

Stojanovski thotë se amendamentet për shkollat janë për shkak se në buxhetin prej 5,3 miliardë euro, arsimit i janë shkurtuar mbi 30 milionë denarë për rikonstruktim dhe ndërtim të shkollave. Ai nuk pret që pushteti do t’i pranojë amendamentet e tyre.

“Unë mendoj se amendamentet tona nuk do të miratohen, megjithatë ka amendamente që janë të ngjashme me tonat, ndërsa që i kanë propozuar deputetë të pushtetit. Dua të them se ne si grup i deputetëve aspak nuk shohim se kush e dorëzon amendamentin, ne do t’i tregojmë vërejtjet tona ndërsa çdo amendament që ka të bëjë me arsim, me studentët dhe nxënësit, ne do ta përkrahim”, pohoi Bojan Stojanovski, kryetar i Komisionit për Financim dhe Buxhet.

Në Komisionin për financa dhe buxhet ku ende po debatohet për Buxhetin e vitit të ardhshëm, vijon debat mbi amendamentet. Janë dorëzuar gjithsej 263 amendamente prej të cilave 199 janë të opozitares VMRO-DPMNE.