Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet ka nisur debatin mbi amendamente për rishikimin e buxhetit, përcjell TV21. Qeveria dhe opozita janë në një debat të ashpër për rritjen e pagave. Nga LSDM akuzojnë se nuk janë siguruar para për rritjen e pagës minimale, ndërsa nga VMRO-DPMNE thonë se kanë hasur në një “gropë” të madhe buxhetore dhe se opozita tani kritikon për gjëra që nuk i ka bërë.
“Në buxhetin bazë, që ishte për vitin 2024, kjo kërkesë që sot e ka LSDM-ja nuk ishte e paraparë. Këto kërkesa që kanë tani për të drejtat e punëtorëve padyshim që nuk i kanë pasur gjatë krijimit të buxhetit bazë të vitit 2024. Në këtë buxhet, opinioni i respektuar maqedonas, qeveria e atëhershme e udhëhequr nga BDI dhe LSDM harroi shumë kategori të qytetarëve, harroi shumë nevoja të qytetarëve”, tha Eli Panova, VMRO-DPMNE.
“Asnjë rrogë nuk është lënë pa u planifikuar dhe po ju kërkoj që vërtet të ndaloni së foluri se dikush nuk ka dashur të planifikojë rroga apo fonde buxhetore. Është detyrimi juaj të siguroni që të vazhdojë si rritje dhe ajo që duhet t’u thoni qytetarëve është se do të vazhdoni t’i respektoni ata dhe jo që ata do të marrin diçka, por jo atë që u është premtuar”, shtoi Bisera Kostadinovska Stojçevska, LSDM.
