Ambasadorja Kim: Marrëveshja Kosovë-Serbi hap i madh për paqen dhe progresin në Ballkanin Perëndimor

TË FUNDIT

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Juri Kim e ka përshëndetur marrëveshjen e nënshkruar sot mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Vlerëson se marrëveshja për normalizim ekonomik është një hap i madh përpara për paqen dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Një hap i madh përpara për paqen dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor. Me përqendrim në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin në gjendje të arrijnë një përparim të vërtetë në bashkëpunimin ekonomik në një gamë të gjerë çështjesh”, shkroi Kim

Ndërkohë, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka përshëndetur marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin ekonomik, të cilën e theksoi si një hap të jashtëzakonshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes së ndërsjellë..

“Kjo marrëveshje do të krijojë jo vetëm parakushtet për një zhvillim të hovshëm ekonomik të Republikës së Kosovës, por edhe do të mundësojë zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, si një prej pjesëve më të dhimbshme nga lufta e fundit në Kosovë”, u shpreh Cakaj.

Gjithashtu Cakaj theksoi se njohja e Kosovës nga Izraeli është shenjë e rikthimit të fuqishëm të kauzës së drejtë të saj në arenën ndërkombëtare.

“Njohja e pavarësisë së Republikës të Kosovës nga Izraeli, ndërkaq, është shenjë e rikthimit të fuqishëm të kauzës së drejtë të saj në arenën ndërkombëtare. Zoti i bekoftë shqiptarët, Kosovën e Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Cakaj reagimin e tij.