Në MPJ dje është thirrur ambasadori bullgar, nga i cili është kërkuar sqarim dhe hetim i thelluar për publikimin në opinion të notës diplomatike lidhur me udhëtimin në Pamporovo të bashkëshortes dhe djalit të kryetarit të Qeverisë, Hristijan Mickoski. Këtë e konfirmoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski.
“Presim jo vetëm sqarim, por një hetim të thelluar se si është ardhur deri në këtë situatë, sepse edhe sipas të drejtës ndërkombëtare një gjë e tillë është e papranueshme në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, pavarësisht se ato kanë tensione politike mes vete. Ka shtete që janë në luftë me njëra-tjetrën, por dokumente të këtij lloji nuk dalin në opinion”, tha Timço Mucunski
Për rastin janë informuar edhe përfaqësues të partnerëve tanë strategjikë dhe NATO-s, njoftoi Mucunski, duke shprehur shqetësim serioz për veprime të tilla në Bullgarinë fqinje. Këtë praktikisht e bëri të ditur kryeministri Mickoski para disa ditësh, kur i pyetur për sinjalet nga Bullgaria lidhur me marrëdhëniet mes dy vendeve, tha se mendon se gjendja po radikalizohet. Përgjigje ndaj reagimit nga MPJ-ja bullgare ende nuk ka.
Sa u përket marrëdhënieve, por edhe mesazheve politike nga Sofja, Mucunski thotë se është e qartë se të dyja palët kanë qëndrime të ndryshme.
“Është e qartë se për çështjen e lidhur me integrimet evropiane kemi vërtet qëndrime të ndryshme dhe interpretim të ndryshëm të asaj se cilat janë obligimet tona dhe ato evropiane, dhe duhet të gjendet mekanizmi i duhur që e gjithë kjo të sqarohet. Por, ajo që është e rëndësishme për ne, është të vendosen garanci të forta që ne të mos hyjmë në një proces të përhershëm bilateralizimi, siç kemi qenë si shtet për më shumë se 30 vjet”, deklaroi Timço Mucunski
Ky qëndrim i Mucunskit vjen pas deklaratës së Mihaila Docovës, kryetare e Kuvendit të Bullgarisë, e cila porositi se Bullgaria dhe Maqedonia nuk kanë çfarë të rinegociojnë. Ajo këtë e deklaroi pas takimit me Afrim Gashin në margjinat e sesionit të 13-të plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, i cili u mbajt në Sofje.
“Konsensusi evropian i arritur në vitin 2022 janë kushtet që janë dakorduar për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe kjo nuk i nënshtrohet rinegocimit. Gjithashtu, është e domosdoshme të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese në Maqedoninë e Veriut”, tha Mihaila Docovës
Ndryshe, gjatë ditës Mucunski mbajti konferencë për media në të cilën foli për mandatin e tij dyvjeçar. Ministri theksoi se shteti ka qenë vendi i parë evropian që ka mbajtur një sesion të dialogut strategjik me administratën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai rikujtoi edhe marrëveshjet e arritura për bashkëpunim strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, Hungarinë dhe Kroacinë, si dhe Memorandumin e nënshkruar për bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ministri tha se aktualisht 12 vende të lira ambasadorësh janë në procedurë plotësimi, ndërsa për 16 të tjera po zhvillohet faza e konsultimeve për plotësimin e tyre. Për Sofjen është përcaktuar kandidat nga radhët e diplomatëve profesionistë.
