As sot, e as për tre ditët në vijim në kalendarin e Kuvendit nuk duket seanca e Komisionit për Politikë të Jashtme. Ajo u hap dhe u mbyll pardje, më 26 korrik, ku për prezantimin e tezave mundësia iu dha vetëm kandidatit për ambasador në ShBA, Zoran Popov. Pasi ishte parapararë që ai të fliste me dyer të mbyllura, katër ambasadorët e tjerë pritën jashtë sallës, me shpresën se po atë ditë do të kenë mundësi të prezantojnë pikëpamjet e tyre si ambasadorë të ardhshëm, siç edhe parashihej në pikat e rendit të ditës, por nuk ndodhi kështu.
Kryetari i komisionit Antonio Milloshovski e shty seancën për kohë të pacaktuar, me arsyetimin se janë caktuar seanca plenare. Se kur do të thirret askush nuk e di. As dje e as sot Milloshovski nuk po u përgjigjet mesazheve tona në celular. Kanë mbetur edhe 3 ditë nga funksionimi i Kuvendit, para se deputetët të nisin pushimin veror më 1 gusht. Rikthimi zakonisht ndodh më 1 shtator. Kështu, me shumë gjasa katër ambasadorët e mbetur verën do ta kalojnë duke e pritur shtatorin për ta marrë detyrën e re.
Të pyetur nga TV21 se a kanë ndonjë plan për t’iu ikur zvarritjeve dhe vonesave për dërgimin e ambasadorëve, nga Ministria e Punëve të Jashtme përgjigjen shkurt: “Presidenti vendos.”
Po çfarë plani ka kreu i shtetit Stevo Pendarovski në këtë rast?
Presidenti, në fakt, mund të vendos për dërgimin e ambasadorëve edhe nëse ata nuk i prezantojnë tezat para Komisionit kuvendor. Kujtojmë se kjo procedurë është më shumë formale se sa vendimmarrëse, por me sa duket Pendarovski nuk dëshiron ta prishë traditën.
“Presidenti konsideron se edhe përskaj asaj se nuk bëhet fjalë për obligim ligjor, prezantimi i tezave të kandidatëve për shefa të përfaqësive diplomatike-konsullore para Komisionit për Punë të Jashtme është praktikë e mirë politike që ekziston në 2 dekadat e fundit”, thanë për TV21 nga kabineti i Presidentit.
Megjithatë, Presidenca edhe një herë paralajmëron se dekretet mund të nënshkruhen nga Pendarovski nëse vërehen përpjekje për bllokim e stërzgjatje.
“Nëse në periudhën e ardhshme ka bllokim, pra nuk caktohen seanca të Komisionit për Punë të Jashtme, ku ambasadorët e ardhshëm do t’i prezantojnë tezat e tyre para Kuvendit dhe publikut, Presidenti do të jetë i detyruar që të nënshkruajë dekrete për dërgimin e ambasadorëve të cilët i kanë plotësuar kushtet ligjore për t’u dërguar, pa prezantimin në Kuvend”, shkruhet në përgjigjigjen e Presidencës për TV21.
Ajo që mbetet si çështje e hapur nga kjo përgjigje janë afatet kohore. Mbetet e paqartë se çfarë nënkupton Presidneca me shprehjen “periudhë e ardhshme”, nëse bëhet fjalë për këto tre ditët e mbetura deri në fillimin e pushimeve, apo edhe pas shtatorit kur deputetët të jenë rikthyer nga pushimet.
Përndryshe, katër ambasadorë që kanë marrë agreman e që duhet t’i prezantojnë tezat e tyre para Komisionit për Politikë të Jashtme janë Agron Buxhaku i nominuar për në Kanada, Evgenija Ilieva për në Sllovaki, Driton Kuçi për në Norvegji si dhe Metodija Belevski për në Belgjikë. Agreman kanë marrë edhe Agnesa Rusi-Popovska për të shkuar ambasadore në Bullgari, Viktor Dimovski në Francë dhe Jovo Manasievski në Turqi./tv21.tv
