Ali Ahmeti përfundon dëshminë, por nuk jep detaje. U mor në pyetje për veprimtarinë e tij gjatë luftës në Kosovë

TË FUNDIT

Për dy ditë radhazi u intervistua në mjediset e Gjykatës Speciale në Kosovë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, u ftua nga kjo gjykatë për të dëshmuar për veprimtarinë e tij gjatë luftës në Kosovë.

Pas intervistimit, Ali Ahmeti para gazetarëve nuk dha detaje.

“Siç e patë edhe ju vetë, intervistimi im ka zgjatur dy ditë, deri në përfundim të këtij procesi nuk mund të ndaj asnjë informacion me opinionin, kështu e përkufizon ligji dhe dua që ta respektoj ligjin. Në përfundim të këtij procesi, atëherë mund të flasim, atëherë na lejon edhe ligji” tha Ahmeti.

Kryetari i BDI-së Ahmeti konfirmoi se u mor në pyetje në cilësinë e dëshmitarit.

“Sot ka marrë fund procesi i intervistimit tim. Ky është një proces dhe unë shpresoj, jo vetëm unë por të gjithë, të mos vazhdojnë të merren intervistime” u shpreh kreu integrist.

Ali Ahmeti është një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

Në fillim të viteve ’90 ishte ndër kryesorët që themeluan dhe ngritën më tej UÇK-në si formacion ushtarak, të cilin në vitin 2000, pas çlirimit të Kosovës, ai së bashku me udhëheqës të tjerë, e ristrukturuan në “Ushtria Çlirimtare Kombëtare” duke e shtrirë veprimtarinë e saj tashmë në Maqedoninë e Veriut.

Prej vitit 2002 e deri më sot Ahmeti drejton BDI-në, një nga partitë kryesore në Maqedoninë e Veriut, e cila në zgjedhjet e fundit mori 15 mandate.