Universiteti i Tetovës në akademinë e sotme solemne me rastin e 26 vjetorit të themelimit, kryetarit
të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ia ndau titullin Doctor Honoris Causa. Vendimi i Universitetit për ndarjen e titullit është marrë për shkak të angazhimit personal të Ali Ahmetit për ndryshime shoqoro-politike në vend.
“Ahmeti është meritor për shkak të më shumë angazhimeve të tij siç janë ndryshimi i statusit juridik dhe politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese në pajtim me Marrëveshjen e Ohrit, organizimin territorial dhe decentralizimin, përfaqësimin e drejtë dhe përkatës të shqiptarëve në institucionet shtetërore, punësimin e mbi 20 mijë punonjësve të administratës në të gjitha institucionet shtetërore, zyrtarizmin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar shqiptar, formalizimin e Universitetit të Tetovës, formimin e universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe të tjera”, theksoi në referatin me rastin e shpalljes, profesori Shaip Shehu.
Ali Ahmeti me këtë rast theksoi se edhe më tej do të angazhohet për zhvillimin e gjendjeve shoqërore dhe arsimin.
“Këtë nder të Universitetit të Tetovës, ia dedikon njerëzve që dhanë më së shumti për hapjen dhe ngritjen e kësaj foleje të dijes. Ky titull i bëhet Abdylselam Eminit me rastin e 26 vjetorit të rënies së tij, por u bëhet edhe të gjithë ushtarëve, atdhetarëve dhe misionarëve, patriotëve mësuesve dhe pishtarëve të arsimit që mbajtën shpirtin gjallë duke ligjëruar në terr e në fshehtësi për lirin e munguar dhe për sakrificat e panumërta të popullit e të kombit tonë. I dedikohet të gjithë rilindësve tanë sepse
ata na mësuan “Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpie”.”, tha Ahmeti në fjalën e tij.
Ai shprehu se nuk kishte përgatitur ndonjë fjalim për zhvillimet e deritanishme sepse siç tha ka menduar se më mirë është që t’i kthej në kujtesë të gjithë këta njerëz që
bënë për arsimin shqip.
“Unë erdha këtu për të bërë edhe një
zotim para jush, para shqiptarëve, se do vazhdoj pa u lodhur në ngritjen, avancimin e arsimit shqip, në rritjen e cilësisë së arsimit
shqip, në rritjen e vlerave si dhe infrastrukturën e universiteteve, në pajisjen e tyre sepse jemi në shekull konkurrent dhe sot vetëm me konkurrencë të fuqishme mund të ecim përpara. Themelet i kemi ndërtuar, kalatë i kemi ndërtuar, por ama ato duhet t’i forcojmë, ato duhet t’i mirëmbajnë, sepse vetëm me dije, vetëm të përgatitur mirë mund të jemi konkurrent të denjë në të gjitha fushat”, theksoi Ahmeti.
Ai u zotua se atë do ta kenë të gjithë të fushës së arsimit, partner të fortë për të shtyrë përpara arsimin dhe për të ngritur kuadro që të kenë lakmi të gjithë.
Rektori Vullnet Ahmeti theksoi se në 26 vitet e kaluara është dhënë shumë mund e sakrificë për Universitetin.
“Përvjetorët na ndihmojnë të kthehemi në të kaluarën dhe ta mbajmë mend historinë tonë. Historitë e themelimeve të Universiteteve në botë, janë të ndryshme dhe gjithsesi nuk janë aq specifike si themelimi i UT-së, i cili u themelua nga populli. Gjatë 26 viteve të kaluara është dhënë shumë mund. Ky institucion i lartë arsimor të jetë bashkëkohor”, tha rektori Ahmeti.
