Aleanca për Shqiptarët me një këmbë në Qeveri! Në “Aleancën për Europë” të Ahmetit nuk është edhe VMRO-DPMNE -ja

TË FUNDIT

Nuk ka ofertë konkrete për pjesëmarrjen e VMRO-DPMNE-së në “Aleancën për Evropë” që po e paralajmëron kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Nuk është e qartë çfarë funksioni do të ketë aleanca e tillë e cila duhet të punojë në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, kur pa votat e partisë së Mickoskit kjo gjë nuk mund të arrihet. Në përgjigjen e kryeministrit Kovaçevski nëse do të ftohet edhe VMRO-DPMNE, nuk shihet ndonjë paralajmërim se do të bëjë përpjekje që edhe kjo parti të jenë pjesë e kësaj aleance.

“Levica dhe VMRO-DPMNE janë kundër anëtarësimit në NATO, gjë që e konfirmuan me deklarata publike dhe janë kundër anëtarësimit në BE, vlerësoj se ky është koncept i gabuar. Të gjitha partitë politike që janë për konceptin për Maqedoni europiane, përkatësisht, dëshirojnë që të jenë pjesë e aleancës për Evropë, i kanë dyert e hapura”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Nga VMRO-DPMNE akuzuan se Kovaçevski në vend që t’i përkushtohet ardhmërisë europiane, thjesht merret me krim.

“Dimitar Kovaçevski nuk është për unitet për anëtarësim në BE, Kovaçevski merret vetëm me krim dhe korrupsion me urdhër të BDI-së. Në vend të agjendës evropiane ka agjendë kriminele. Kovaçevski është shërbëtor i Ahmetit në vend që të jetë shërbëtor i interesave të qytetarëve”, tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE.

Ahmeti dje bëri thirrje për aleancë për Evropë, gjë që nuk do të rrisë vetëm shumicën parlamentare por edhe do të zëvendësojë pjesën e deputetëve të BDI-së që janë pjesë e “grupit të zjarrit”.

Në këtë aleancë, njëkohësisht edhe në Qeveri, pritet të jetë edhe Aleanca për Shqiptarët. Taravari në “Click Plus” në TV21, tha se ka shanse për hyrje në Qeveri, por ende nuk kanë ofertë konkrete. Për këtë çështje sot foli edhe Kovaçevski.

“Aleanca për Shqiptarët ka shprehur vullnet politik që është për konceptin europian të shtetit. A do të hyjë në Qeveri? Po, ekzistojnë mundësi për këtë gjë njëjtë siç kanë thënë edhe liderët tjerë politik. A do të ndodh kjo gjë varet nga marrëveshja politike, kuptohet që ajo marrëveshje politike çdoherë ka dy aspekte, njëri aspekt është ai programor, tjetri kadrovike”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Preambulë duhet të sillet deri në nëntor të këtij viti dhe kjo është kusht për vazhdimin e negociatave me BE, përkatësisht për hapjen e klasterëve.