Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për Dojçe Vele ka folur edhe për “Ballkanin e Hapur”. Thotë se për t’u bërë Ballkani i hapur dhe i lirë duhet të ndryshojë Serbia. Ndër të tjera shtoi se nuk i preferon iniciativat që nuk e kanë brenda dhe tërë kohën Bashkimin Evropian.
DW: Dy ditë më parë në Beograd u mbajt takimi i “Open Balkan”, me pjesëmarrjen e vetëm tri vendeve, Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, duket shumë këmbëngulës në këtë ide. Pse jeni kaq kategorik, kundër “Open Balkan”. Çfarë të keqe ka për Kosovën lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, duke e ditur se veçse qytetarët e Kosovës përballen me një izolim të lirisë së lëvizjes në Zonën Shengen?
Albin Kurti: Ka një dallim themelor në këtë situatë meqenëse Serbia e pranon Shqipërinë si shtet, por nuk e pranon Kosovën dhe ky mospranim i Kosovës nga ana e Serbisë kthehet në diskriminim gjithandej për qytetarët tanë. Pra ndërsa një qytetar i Shqipërisë mund të udhëtojë me pasaportë në Serbi, kjo nuk vlen për një qytetar të Kosovës meqenëse neve nuk na pranohen dokumentet tona në Serbi. Pra, për t’u bërë Ballkani i hapur dhe i lirë duhet të ndryshojë njëherë Serbia. Nëse ne bashkëpunojmë me një Serbi, e cila nuk po ndryshon, kjo nuk do ta ndihmojë ndryshimin e Serbisë, përkundrazi inkurajimin e saj. Unë nuk i preferoj iniciativat që nuk i kanë brenda dhe tërë kohën Bashkimin Evropian. Ne i pamë aty tri shtete, tre përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perendimor, mirëpo aty nuk qe askush nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështesim procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal që ka dalë nga procesi i Berlinit e për të cilin nevojiten padyshim liritë e qarkullimit dhe kualifikimeve dhe të njohjes së diplomave profesionale e akademike, por është serish Serbia që nuk po e pranon një gjë të tillë për Kosovën. Në anën tjetër kur thuhet Ballkani i Hapur, i hapur për kë? Sepse ne do të duhej të ishim me Bashkimin Evropian, por jo të hapur për Federatën Ruse dhe Kinën. Në një farë mënyre kur thuhet i hapur, nga pikëpamja e Serbisë synohet që ashtu siҫ Serbia është e hapur për Federaten Ruse dhe Kinën, të bëhen edhe të tjerët në Ballkanin Perendimor. Pra ne kundërshtojmë një tendencë të tillë dhe në fund më duhet t’ju them që edhe personalisht si orientim politik dhe si ndjeshmëri kulturore, nuk jam në mesin e atyre liderve që besojnë në vetmjaftueshmërinë e Ballkanit. Po e ritheksoj që Evropa është kontinenti ynë, ndërsa Bashkimi Evropian është fati ynë”.
