Alarmon analisti Hoda: Shtylla e largpërçuesit elektrik në Negotinë, e thyer në gjysmë! EVN: Punohet që rrjeti mbitokësor të zëvendësohet me rrjet nëntokësor

TË FUNDIT

Analisti Besim Hoda në redaksinë e TV21 ka dërguar një video nga Fshati Negotinë ku shihet shtylla e cila mbanë telat me tension të lartë rrezikon banorët. Siç shihet në video gjysma e shtyllës është e thyer. Hoda thekson se kjo gjendje është gati 4 muaj.

E për këtë, TV21 pyeti edhe EVN-në për situatën në Negotinë. Nga atje i thanë TV21 se Fshati Negotinë i Gostivarit është pjesë e planit investues për rikonstruim dhe modernizim të rrjetit.

“Fshati Negotinë i Gostivarit është pjesë e planit investues për rikonstruim dhe modernizim të rrjetit i cili realizohet në më shumë lokacione në vend.

Sipas planit paraprakisht të përcaktuar, në lokacionin ku për momentin ndodhet shtylla, është e planifikuar që rrjeti mbitokësor të zëvendësohet me rrjet nëntokësor. Kjo nënkupton që shtylla së bashku me kabllot do të mënjanohen plotësisht.

Punimet e planifikuara do të realizohen deri në fund të muajit”, thonë për TV21 nga EVN-ja.