Alarmi i rremë për bombë, e kthen aeroplanin në aeroport

TË FUNDIT

Një aeroplan i kompanisë “Turkish Airlines” që ishte nisur nga Stambolli për në Bazel është detyruar të kthehet nga është nisur, për shkak të një kërcënimi me bombë.

Aeroplani i tipit Boeing 737 në të cilin ndodheshin 151 pasagjerë, siç njofton një zëdhënës i kompanisë, ka aterruar pa probleme në Aeroportin e Stambollit, transmeton albinfo.ch.

Por shkaktare e gjithë këtij shqetësimi, siç u konstatua më vonë ishte një shaka e pakripë, e shkruar në muret e wc-së së aeroplanit, ku një pasagjer i pandërgjegjshëm kishte shkruar se në aeroplan ishte vendosur një bombë.

Megjithatë, udhëtarët e traumatizuar janë përcjellë në një aeroplan tjetër, me të cilin janë sjellë në Zvicër Aeroplani ka aterruar pa probleme në orën 16.46 në Aeroportin Basel-Mülhausen.

Ky është rasti i tretë i kësaj natyre që po i ndodh kompanisë Turkish Airlines në javët e fundit.