Alarmante situata me përhapjen e Ebolës në Kongo

TË FUNDIT

Përhapja e shpejtë e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos ka krijuar një situatë “thellësisht alarmante”, ka paralajmëruar organizata humanitare mjekësore “Médecins Sans Frontières” (MSF).

Duke folur dy javë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli shpërthimin e epidemisë, zëvendësdrejtori i MSF-së, Dr. Alan Gonzales, ka thënë se kurrë më parë nuk ishin regjistruar “kaq shumë raste” në një kohë kaq të shkurtër.

Komentet e tij erdhën ndërsa drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, vizitoi provincën lindore kongoleze të Iturit, zonën më të goditur, për të mbikëqyrur përpjekjet për frenimin e virusit.

Tani ka më shumë se 1.000 raste të dyshuara të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe të paktën 246 viktima. Uganda fqinje ka raportuar nëntë raste të konfirmuara dhe një vdekje.

“Dy javë pas shpalljes së shpërthimit të Ebolës në provincën Ituri, situata është thellësisht alarmante”, ka thënë në një deklaratë të shtunën.

“Kurrë më parë një shpërthim i Ebolës nuk ka regjistruar kaq shumë raste kaq shpejt pas shpalljes së tij”, ka shtuar ai, duke theksuar se ekipet e tij në terren po “dëshmojnë një reagim që ende nuk ka arritur të ndjekë ritmin  përhapjes së shpejtë të epidemisë”.

“Realiteti sot është se askush nuk e di shkallën dhe ashpërsinë e vërtetë të këtij shpërthimi. Raste të reja të dyshuara raportohen çdo ditë, megjithatë qindra mostra ende nuk janë testuar”, ka deklaruar Gonzales.

Ai ka deklaruar po ashtu se përpjekjet për kontrollimin e epidemisë dhe dërgimin e ndihmave humanitare po vonohen për shkak të “pengesave të mëdha”, përfshirë mbylljen e kufijve dhe aeroporteve.

OBSH-ja ka paralajmëruar vazhdimisht se konflikti i vazhdueshëm në Republikën Demokratike të Kongos po pengon ndjeshëm reagimin ndaj shpërthimit të Ebolës.

Pas mbërritjes në Bunia, kryeqytetin provincial të Iturit, të shtunën, Tedros u ka bërë thirrje komuniteteve në qendrën e shpërthimit të luajnë një rol më të madh në luftimin e sëmundjes, duke thënë se ato “i kuptojnë më mirë problemet dhe e dinë gjithashtu zgjidhjen”.