Akuza të ndërsjella mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për integrimet evropiane

TË FUNDIT

Nga LSDM-ja sot deklaruan se përfshirja e pakicave në Kushtetutë nuk e dobëson identitetin kombëtar maqedonas, por përkundrazi e forcon. Zëdhënësja Bogdanka Kuzeska tha se VMRO-DPMNE po bllokon ndryshimet kushtetuese jo për shkak të identitetit, por për të shmangur Prokurorinë Evropiane dhe për të mbrojtur rrjetin e vet kriminal.

“Pse VMRO-GOK nuk frikësohet nga ata, por frikësohet nga bullgarët, të cilët sipas regjistrimit janë vetëm 3.504? Përgjigja është e qartë: nuk bëhet fjalë për pakicat, por për bllokadën e qëllimshme të integrimeve në BE. Nëse bullgarët, kroatët ose pakica të tjera përfshihen në Kushtetutë, si e dobëson kjo identitetin maqedonas? Përkundrazi, e forcon. Sepse të gjithë ata qytetarë janë shtetas maqedonas, ndërsa statusi i pakicës është vetëm mbrojtje shtesë e të drejtave të tyre kolektive. Populli maqedonas mbetet popull kushtetues dhe dominues në shtetin e vet”, tha Bogdanka Kuzeska – LSDM.

VMRO-DPMNE akuzoi sot LSDM-në dhe liderin e saj Filipçe se “punojnë më shumë për Bullgarinë sesa për Maqedoninë”. Valentin Manasievski tha se LSDM-ja nuk ka mbështetje nga qytetarët dhe po përhap kaos mediatik pa asgjë konkrete për t’u ofruar. Ai shtoi se pretendimi i LSDM-së se ndryshimet kushtetuese janë hapi i fundit drejt BE-së është i pavërtetë

“LSDM-ja dhe Filipçe me vetëdije po përhapnin kaos në hapësirën mediatike, sepse janë të humbur dhe nuk kanë çfarë t’u ofrojnë qytetarëve, përveç gënjeshtrave, shpifjeve dhe manipulimeve. LSDM-ja dhe Filipçe thonë se ndryshimet kushtetuese janë hapi i fundit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa kryeministri bullgar Rumen Radev në paraqitjet publike njofton se pas ndryshimeve kushtetuese ka kërkesa shtesë nga Bullgaria. Se ndryshimet kushtetuese janë pengesa e fundit për Maqedoninë, e besojnë vetëm Venko Filipçe dhe besnikët e Zoran Zaevit”, shtoi Valentin Manasievski – VMRO DPMNE.