VLEN përmes një kumtese akuzoi Arben Taravarin për standarde të dyfishta, duke thënë se dikur akuzonte pushtetin për problemet me ujin në Gostivar, ndërsa sot nuk merr përgjegjësi politike për situatën. Nga kjo parti u shtruan pyetje lidhur me premtimin për ndërtimin e dy rezervuarëve dhe me, siç thanë, 7 milionë euro ndihmë nga Zvicra. VLEN kërkon përgjegjësi, transparencë dhe zbardhjen e plotë të rastit, duke theksuar se qytetarët meritojnë ujë të sigurt dhe institucione funksionale.
“Kemi pas një mbledhje të regjionit të Pollogut ku bëjnë pjesë të gjithë kryetarët komunave për vlerësim të situatës. Ja lëmë institucioneve kompetente të vlerësojnë gabimet, lëshimet dhe normal edhe përgjegjësitë”, tha Izet Mexhiti – bashkëkryetari I VLEN-it .
Nga ana tjetër deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, akuzoi LDSM-në, BDI-në dhe Arben Taravarin se pse nuk kërkojnë përgjegjësi nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
“Qytetarët meritojnë përgjigje, jo standarde të dyfishta. Pse LDSM-ja, BDI-ja dhe Taravari nuk kërkojnë reagim nga komuna për këtë skandal? Pse komuna doli me konferencë për media vetëm pas tre ditësh, pasi të gjithë u informuan për skandalin? Pse shërbimet komunale nuk kanë lëvizur as gishtin?”, pohoi Brane Petrushevski – VMRO DPMNE .
U kundërpërgjigj kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili akuzoi Qeverinë se sistemi shëndetësor është në kolaps dhe nuk po e mbron shëndetin e qytetarëve. Ai tha se rasti me ujin në Gostivar tregon dështime sistematike.
“Ajo që ndodhi në Gostivar nuk është vetëm një rast i izoluar. Bëhet fjalë për shenja sistematike të joefikasitetit dhe mosfunksionimit. Funksioni themelor i sistemit shëndetësor, që është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, duket qartë se është cenuar. Pacientët presin me muaj për të kryer ndërhyrje kirurgjikale, për shkak të mungesës së kapaciteteve, si në aspektin e personelit, ashtu edhe të infrastrukturës”, shtoi Venko Filipçe – LSDM.
Ndryshe që në daljen e parë kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani, kërkoi që rasti në Gostivar të mos keqpërdoret për tema politike, ndërsa dje tha se e prioritet i tij mbetet shëndeti i qytetarëve dhe që gostivarasit sa më shpejtë të kenë ujë të pijshëm.
