Opozitarja LSDM kritikon kryeministrin Hristijan Mickoski se po përgatit alibi për dështimin e reformave në qershor, duke fajësuar opozitën për “bllokadë” të Kodit Zgjedhor. Sipas partisë, VMRO-DPMNE ka shumicë absolute në Kuvend dhe mund të miratojë ligje pa konsensus, ndaj pretendimet për pengesa janë vetëm justifikim për mungesë rezultatesh. LSDM vlerëson se Mickoski po vazhdon me “matricën e vjetër të gënjeshtrave” dhe se qytetarët e shohin qartë përgjegjësinë për bllokimin e rrugës evropiane të vendit.
“Mickoski para qytetarëve premtonte me pompozitet se “së shpejti nga Brukseli do të vijë lajm se jemi krah për krah me Malin e Zi”. Edhe para se të vijë qershori, që nga dje tashmë po përgatit alibi pse kjo nuk do të ndodhë. Sepse nuk do t’i përmbushë obligimet. Nuk do t’i fusë pakicat në Kushtetutë, nuk do t’i mbyllë tetë pikat kyçe reformuese dhe nuk do t’i zgjidhë problemet që vetë i ka thelluar”, tha Natasha Popoviq.
Nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM dhe Venko Filipçe se në mënyrë të pabazë paraqiten si opsion proevropian, duke pretenduar se deklaratat e tyre përgënjeshtrohen vazhdimisht nga institucionet evropiane. Sipas partisë në pushtet, ky imazh përdoret për të justifikuar, siç thotë ai, “tradhtitë kombëtare” gjatë kohës kur ishin në pushtet.
“Gjithashtu, edhe gënjeshtra që e përhapën për deklaratën e eurodeputetit dhe raportuesit për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, zotit Tomas Vajc, për të cilën ai vetë menjëherë e përgënjeshtroi, përfundoi se Maqedonia ka përparim të madh në Agjendën e Reformave. Të mos e harrojmë edhe panikun, kaosin dhe histerinë që e përhapën për mjetet nga programi IPARD, që gjithashtu u përgënjeshtrua në një njoftim nga Komisioni Evropian”, tha Valentin Manasievski.
Përndryshe, dje Mickoski deklaroi se nga 10 hapat e Agjendës Reformuese, 2 nuk do të përmbushen, ndërsa pjesa tjetër pritet të realizohet deri në qershor, kur përfundon afati i dhënë nga Komisioni Evropian. Sipas Mickoskit, dy pikat që nuk do të realizohen lidhen me furnizimin me energji elektrike dhe miratimin e Kodit Zgjedhor, për të cilin ai fajësoi opozitaren LSDM për braktisje të komisionit.
