Aktori i njohur shqiptar, Genci Fuga është shtruar në spital pas problemeve shëndetësore që ka shfaqur mbrëmjen e djeshme.
Për t’i ardhur në ndihmë aktorit, familjarë, miq e kolegë apeluan se Fuga duhej të kryente një ndërhyrje urgjente gjë për të cilën kërkohej edhe një shumë prej 19 mijë eurosh. Pas thirrjes që bëri bashkëshortja e tij, njëherësh aktorja Eni Jani, shumë qytetarë janë përgjigjur pozitivisht.
“Nuk qenka e lehtë, por në këto momente e kam domosdoshmëri. Genci po kalon një periudhë të vështirë. Ka pësuar goditje në tru dhe në këto momente po bën ndërhyrje (në një spital privat). Do i lutesha të gjithë punonjësve të RTSH dhe kush mundet të kontribuojë për të ofruar një shumë prej 200 mijë lekë të rinj për të plotësuar koston prej 19 mijë euro të operacionit. Ndjesë dhe konsideratë”, shkroi fillimisht Jani.
Në solidaritet të plotë me Eni Janin kanë bërë thirrje për mbështetje, studentë dhe kolegë të Genci Fugës, si Rozana Radi, Olta Daku, Arben Derhemi, Jozef Shiroka etj. Për rreth 2 orësh, u bë e mundur edhe sigurimin i shumës që nevojitej për ndërhyrjen, ndërsa Jani ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan.
“Falënderoj çdo njërin nga ju për suportin dhe mbështetjen, për çdo fjalë dhe kontribut” shkruan Eni Jani teksa falënderon edhe mjekët për përkushtimin.
Më herët, po ashtu aktorja Suela Konjari bëri thirrje për ndihmë në drejtim të krerëve të Ministrisë të Kulturës dhe asaj të Shëndetësisë në Shqipëri.
“Genci Fuga miku e partneri im në skenë, artisti e pedagogu i arteve, forca! Unë jam duke iu lutur Zotit për ty , që operacioni të dalë me sukses e ti të fitosh këtë betejë , për tu kthyer tek vajzat, Eni, publiku e ne të gjithë! I drejtohem znj.Ministre të Kultures znj.Elva Margariti e znj.Ministre të Shëndetësisë: Artisti Genc Fuga ka nevojë ta mbështesni financiarisht për këtë operacion. Është e merituar dhe ju do të nderoni veten nëse jepni ndihmën financiare për të. Ju lutem miqve t’i bashkohen kërkesës sime“, shkruan Suela Konjari.
“Genci do ja dalë dhe do e shohim shpejtë në skenë!”, shkruan aktori Jozef Shiroka.
“Të ndihmojmë të gjithë bashkë njeriun dhe artistin e mrekullueshëm Genci Fugën. Lutemi me ty me besimin që do të shërohesh shumë shpejt miku im”, shkroi ndërkaq, regjisorja dhe aktorja Andia Xhunga.
