Aktori Lulzim Rexha është diagnostikuar me formë të rrallë të kancerit, gjë e cila edhe kërkon kosto të lartë për trajtim – rreth 90 mijë euro.
Ai për momentin gjendet në Gjermani për trajtim, por të afërmit e tij e kanë të pamundur që ta mbulojnë tërë shumën e nevojshme, përcjell TV21.
Kërkojnë ndihmë nga bamirësit që të mbulohet edhe kostoja tjetër e nevojshme. Deri tani janë grumbulluar rreth 45 mijë euro.
Për këtë qëllim, është hapur kanal edhe në Gofundme.
“Së bashku #Për Lulin – Ta ndihmojmë shokun tonë Lulzim Rexha
Të dashur miq e të dashura mike,
Tash e një kohë, shoku e kolegu ynë Lulzim Rexha (Luli) është diagnostikuar me një formë të rrallë të kancerit, që njihet si “Ewing Sarcoma”. Ballafaqimin me këtë sëmundje dhe trajtimin e saj, Luli është duke e vazhduar në Gjermani.
Kostot e trajtimit i tejkalojnë mundësitë financiare të familjes. Prandaj, po ju drejtohemi juve – aty ku kemi gjetur gjithmonë mbështetje e solidaritet – për t’ju lutur të kontribuoni aq sa keni mundësi financiarisht, që së bashku, t’ja lehtësojmë të paktën financiarisht këtë barrë Lulit dhe familjes së tij.
Lulin të gjithë e njohim si koleg të vyer, punëtor të palodhur e mbi të gjitha shok të buzëqeshur e mbështetës për secilin e secilën në çdo rrethanë. Hajde të bëhemi bashkë të gjithë ne kësaj here për të, që të na kthehet në Kosovë me energjinë pozitive që e karakterizon.
Së bashku #PerLulin“, qëndron në njoftimin në “GoFoundme”.
