Aktori Kevin Spacey shpallet i pafajshëm nga akuzat për ngacmim seksual

TË FUNDIT

Aktori i njohur amerikan Kevin Spacey është shpallur i pafajshëm në rastin gjyqësor ndaj tij për sulm seksual që pretendohej të kishte ndodhur dhjetëra vite më parë.

Në seancën e aktvendimit në New York, Spacey u betua se pretendimet e akuzuesit, aktorit Anthony Rapp, nuk janë të vërteta, ndërsa avokatët e Spacey-t argumentuan se Rapp “shpiku një histori” duke qenë xheloz për suksesin e klientit të tyre në industrinë e argëtimit.

Juria prej pesë burrash dhe gjashtë grash vendosi që fituesi i Oscar-it Spacey nuk mund të mbahej përgjegjës për akuzat e aktorit Anthony Rapp.

Aktori 63-vjeçar, i cili nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në dalje të gjykatës, hipi në makinë me hapa të shpejtë dhe u largua.

“Jam shumë mirënjohëse ndaj jurisë që i konsideroi të rreme këto akuza”, tha avokatja e Spacey-t, Jennifer Keller.

51-vjeçari Rapp, i cili tani luan në “Star Trek: Discovery”, pretendoi se ishte ngacmuar seksualisht në Broadway në moshën 14-vjeçare nga Spacey, i cili ka dy çmime Oscar dhe shumë çmime të tjera të mëdha.

Spacey, i cili ka mohuar shumë herë akuzat për sulm seksual, ishte përgjigjur ndaj pretendimit të Rapp në Twitter, duke deklaruar se “sinqerisht” nuk e mbante mend incidentin.

“Por nëse unë jamë sjellë ashtu siç e përshkruan ai, atëherë i detyrohem faljen më të sinqertë për atë që mund të quhet sjellje thellësisht e papërshtatshme e dehur”, ishte shprehur ai.

Spacey më parë ka mohuar akuzat për sulm seksual kundër tre burrave në Mbretërinë e Bashkuar midis viteve 2005 dhe 2013, dhe në vitin 2019 akuzat për sjellje të pahijshme dhe sulme seksuale kundër tij u rrëzuan nga një gjykatë në Massachusetts.