Aktivistë partiak në mbështetje të Taravarit! Hoda dhe Qoku në Click Plus: Pamje të dhimbshme, Taravari të ruaj qetësinë!

TË FUNDIT

Aktivistë të shumtë të Aleancës për Shqiptarët mbrëmë u mblodhën para shtëpisë së kryetarit të partisë, Arben Taravari, për t’i dhënë mbështetje pas kërcënimeve që iu bënë duke i lënë një plumb kallashnikovi para dere. Taravari para aktivistëve tha që kur e sheh këtë mbështetje, më tepër i shtohet bindja se duhet vazhduar këtë rrugë. Sa i përket plumbit të lënë para derës së shtëpisë, thotë se çfarëdo që të nxjerrin para tij, nuk mund ta ndalin.


“Sot kishte tendenca për të më frikësuar para shtëpisë, prandaj jeni dhe ju këtu për të më përkrahur. Ta dini se nuk ka forcë që më ndalon. Jo një plumb, por çfarëdo qoftë që të nxjerrin para meje nuk më ndalin”, tha Arben Taravari – Kryetar i ASH.

Megjithatë Taravari kërkoi nga anëtarët që të ruajnë qetësinë, sepse mund të ndodhë që të tejkalohen mosmarrëveshjet brenda partiake dhe Aleanca të vazhdojë aty ku mbeti. Për të ruajtur gjakftohtësinë, thirrje bëri edhe analisti Besim Hoda. I ftuar në Click Plus, Hoda thotë se Taravari duhet patur kujdes sepse ky frustrim nuk është vetëm i tij por edhe i popullit, andaj mund të rezultojë me fatkeqësi.


“Është shumë e dhimbshme ajo që po shohim tani që pas gjitha peripecive pas një lufte pas një numër dëshmorësh, pas një ideali pas 24 vjetve, gjithë kësaj t’i kthehemi përsëri me plumba. Është shumë e dhimbshme për familjen e z.Taravari dhe familjet tjera. Është një mesazh për të gjithë shqiptarët por mbi të gjitha për politikanët se lojërat e tyre të pista brenda 24 vjetve ku na kanë çuar”, tha Besim Hoda – analist.

Bekim Qoku si përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoni, shprehet se kjo situatë në ASH është delikate dhe kërkon maturi. Këto gjeste me plumba, thotë se nuk i kanë hije një partie si Aleanca për Shqiptarët.


“Është një situatë shumë delikate, një situatë kritike, kërkon maturi, kërkon mençuri. Kjo është shumë e rëndësishme për ta theksuar. Meqë e pamë videon këtu nuk është keq ta diskutojmë edhe këtë për të bërë një apel dhe thirrje për qetësi për t’i zgjidhur këto probleme që kanë brenda Aleancës në mënyrë demokratike. Nuk i ka hije një partie politike në këto kohë të bëjë kështu lloj gjestesh me fishekë para dere”, u shpreh Bekim Qoku – Vetëvendosje.

Përndryshe kryetari i Kuvendit të ASH-së Ziadin Sela, për të shtunën ka caktuar mbledhje të Kuvendit ndërsa në rend dite është raporti i kryetarit të partisë rreth zhvillimeve politike në prag të zgjedhjeve si dhe shqyrtimi i vendimit të kryesisë qendrore rreth daljes së partisë në zgjedhjet parlamentare. Sipas asaj që kanë njoftuar deri tani zyrtarët partiak, ASH ka një vendim për të dalë vet në zgjedhje.