Prokuroria Themelore në Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare, përcjell TV21. Sipas Prokurorisë, ish-drejtori dyshohet se gjatë periudhës 2021-2024 ka përdorur pa bazë ligjore avionin qeveritar “Lear-xhet 60” për udhëtime private, si dhe ka kryer shpenzime me mjete zyrtare për shërbime hoteliere dhe gastronomike.
Me këto veprime, dyshohet se i është shkaktuar dëm buxhetit mbi 2.5 milionë denarë. Ai akuzohet edhe se nuk ka ndërmarrë masa ndaj një piloti që nuk i plotësonte kushtet për drejtimin e avionit, duke shkaktuar dëm shtesë prej mbi 5.4 milionë denarësh.
Prokuroria e akuzon gjithashtu për falsifikim të dokumenteve gjatë procedurave të prokurimit publik për automjete, pasi dyshohet se ka deklaruar të dhëna të pavërteta për konflikt interesi. Ndërkohë, procedura ndaj pronarit të kompanisë së automjeteve është ndërprerë, pasi Prokuroria nuk ka gjetur prova se ai ka synuar të ndikojë në tenderë përmes përfitimeve të dhëna./tv21.tv
