Menjëherë pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit i cili dha dorëheqje nga posti i presidentit, reagoi Qeveria e Kosovës duke u shprehur se “askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri”.
Qeveria e Republikës së Kosovës, konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë. “Bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Përveç presidentit Hashim Thaçi, aktakuza nga Specialja iu konfirmua edhe liderit të PDK-së, Kadri Veselit dhe deputetit nga VV-ja, Rexhep Selimi. Në vazhdë të këtyre zhvillimeve, dje ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi është arrestuar nga hetuesit e Gjykatës Speciale dhe është dërguar për në Hagë./21Media
