Familja Ameti është ende e tronditur nga skenat që ka përjetuar para agimit. Tre burra nga kjo shtëpi u çuan nga gjumi nga forcat e rendit, dhe u dërguan në stacion policie.
Pas vetes, policia la të gjithë në shtëpi me kokë poshtë. Zonja e shtëpisë flet fare pak për gjithë ngjarjen, nga frika se mund t’u shkaktojë probleme bashkëshortit dhe dy djemve, që ia larguan me pranga. “Ja çfarë kanë bërë. Vajzën e kemi pasur të shtrirë, të semurë nga të bërtiturat. Kanë ardhur nga ora 03 e 45, deri në orën 13. Mua dhe nusën na kanë ndaluar të lëvizim nëpër shtepi. Nuk e dinim çfarë bëjnë lart”, rrëfen zonja e shtëpisë.
Ajo thotë se kur policia ka hyrë brenda, e gjithë shtëpia ka ushtuar. Rrëfen se forcat e rendit u vendosen në të tre katet e shtëpisë, dhe nuk lejonin askënd të lëvizë. E tronditur, thotë se kjo është hera e parë që policia u hynë në shtëpi, dhe shprehet e habitur për këtë meqë familjen e ka të ndershme, që s’i bënë dëm askujt. “Na e kanë kthyer shtëpinë përmbys. Vajza dhe nusja prej mbrëmë nuk po qetësohen, goja më ngjitet nga stresi. Ja si ja kanë nxjerrë të gjitha rrobat nuses nga dollapi, krejt ja kanë hallakatur”, thotë ajo.
Forca të shumta policore kanë kontrolluar shtëpinë e familjes Ameti dhe dy shtëpi të tjera pranë, të familjarëve të tyre.
Çdo gjë filloi në orën 03:45 minuta, kur policia hyri në këto prona që gjenden në Studeniçan. Sipas forcave të rendit, edhe kjo shtëpi ishte cak i aksionit të emëruar “Goditja”.
Evi Shkopi
