Aksidentohet autokolona e zv/presidentit amerikan JD Vance

TË FUNDIT

Një oficer policie u plagos rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, pas një aksidenti të rëndë në autokolonën që shoqëronte zv/presidentin amerikan JD Vance në Tennessee.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:11, në qytetin Maryville, afër Knoxville.

Motoçikleta e oficerit të Maryville Police u përplas me një automjet të Patrullës së Autostradës së Tennessee. Oficeri i lënduar rëndë u identifikua si Justin Brown, instruktor dhe oficer trajnimi.

Ai po kryente detyrën e shoqëruesit për JD Vance, në momentin e përplasjes. Qytetarë të pranishëm reaguan menjëherë dhe i dhanë ndihmën e parë, duke luajtur një rol jetik në shpëtimin e jetës së oficerit.

Një nga ambulancat e autokolonës ndaloi, për t’i dhënë asistencë mjekësore në vendngjarje. Brown u dërgua menjëherë në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Tennessee.

Shefi i Policisë, Tony Crisp, falënderoi qytetarët që ndihmuan dhe i quajti “heronj të vërtetë”. Oficeri Brown mbetet në gjendje kritike, pasi iu nënshtrua një operacioni.