Një aksident ka ndodhur në rrugën magjistrale Mitrovicë-Skenderaj, konkretisht në fshatin Broboniq, ku si pasojë janë lënduar katër persona, dy nga ta pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Aksidenti ka ndodhur në orën 7:00 të mëngjesit, ku janë përfshirë një veturë civile dhe një me targa të FSK-së. Të lënduarit pas tretmanit në Spitalin Rajonal në Mitrovicë janë dërguar për QKUK.
Nga hetimet e para të policisë, dyshohet të jetë veprimi jo i rregullt i drejtuesit të veturës me targa civile, i cili ka bërë tejkalim të parregullt.
