Aksidenti tragjik në Bllacë, vetura devijoi në autostradën e papërfunduar dhe ra në humnerë!

TË FUNDIT

Vëllai me bashkëshorten dolën për ta marr motrën në aeroportin e Shkupit të shtunën mbrëma. Por, duke u kthyer për Kosovë ata devijuan rrugën dhe ranë në humnerë duke humbur jetën që të tre. TV21 filmoi rrugën që ka ndjekur vetura me targa gjermane natën e kobshme, ku nga magjistralja Bllacës, në mungesë të sinjalistikës rrugore ka gabuar rrugën duke u lidhur për autostradën e pa mbaruar.

 “Këtu janë akoma gjurmët e gjakut por edhe të automjetit, i cili ka rënë në humnerë gati 20 metra lartësi, në aksin rrugorë nga Bllaca të që shpie drejt Shkupit, i cili akoma është i papërfunduar dhe duke qenë se shoferi nuk ka e ka ditur nuk ka arritur të frenoj në momentin fatal dhe kanë rënë për të qëndruar pa shenja jete tre personat për 48 orë derisa janë gjetur nga ekipet e kërkim shpëtimit të policisë”, raporton Adnan Qaili, gazetar.

Shoferi U.T. (64) nga Kosova, me banim në Gjermani, dhe pasagjerët F.Sh.T. (56) nga Kosova dhe J.K. (54) nga Turqia, të dy me banim në Gjermani, kanë ndërruar jetë në vendin e aksidentit.

 “Kemi ardhur edhe ne e kemi parë rastin tragjik, na ka ardhur shumë keq, të vdekur që të tre, erdhi autoambulanca po ishte për keqardhje… Policia ditën na ka lajmëruar për të vëzhguar se një veturë është zhdukur, mos po e shohim në lumin Lepenc”, theksoi një banor i fshatit Bllacë.

Rasti u denoncua të nesërmen nga bashkëshorti i motrës, duke i shpallur fillimisht si të zhdukur të dielën në orën 13:40 në Stacionin Policor Bit Pazar. M.Sh. (56) nga Kosova ka raportuar se gruaja e tij F.Sh.T., vëllai i saj U.T. dhe gruaja e tij J.K. janë të zhdukur, përkatësisht ai nuk ka mundur të kontaktojë me ta pasi ata janë larguar me automjet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit më 18.07.2026 në orën 22:15.

 “Menjëherë pas njoftimit për personat e zhdukur, ekipet e Shërbimit të Policisë së Shkupit nga Çairi, Qendra dhe Njësia e Policisë Ndërhyrëse kanë kryer një kontroll të kamerave të ‘Safe City’ me qëllim që të lokalizojnë rrugën e lëvizjes së personave të zhdukur dhe automjetin që ata po përdornin, si dhe një dron është ngritur mbi rrugën për shkak se është përcaktuar se automjeti nuk është larguar nga vendi përmes Kalimit Kufitar Bllacë. Mbrëmë në orën 22:35, në SPB Shkup në autostradën Bllacë – Shkup, e cila është e mbyllur për trafik dhe është në ndërtim e sipër, një automjet pasagjerësh Mercedes me targa gjermane ka dalë nga rruga dhe është përmbysur”, u shpreh Goce Andreev, zëdhënës i MPB-së.

Vdekja është konfirmuar nga një mjek i Shërbimit të Ndihmës së Shpejtë, ndërsa inspektim është kryer nga prokurori publik dhe ekipi i SPB Shkup. Me urdhër të prokurorit publik, trupat e të ndjerëve janë dërguar për autopsi. Pas përfundimit të procedurave hetuese të prokurorisë dhe të Institutit të mjekësisë ligjore, pritet që trupat e pajetë tu dorëzohen familjarëve përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup. Kujtojmë që ky nuk është rasti i vetëm në autostradës e papërfunduar. Më herët TV21 raporti edhe për një veturë që pësoi aksident në po të njëjtin vend.

Në lidhje me: 2 kilometrat e Bllacës rrezik për shoferët! Segment pa dalje, pa sinjalizim!