Pesë persona të vdekur dhe një i lënduar. Ky është bilanci nga aksidenti i cili ndodhi mbrëmë në bulevardin “Boris Trajkovski” në Draçevë, në të cilën u përfshinë vetura “Reno 5”, me regjistrim nga Shkupi, në të cilën ndodheshin personat me inicialet: J.P, S.N, A.T, E.T I.A dhe mjeti për transport të mbeturinave “Mercedes” me të cilin drejtonte M.J gjithashtu nga Shkupi. Ky i fundit është transferuar në spitalin e përgjithshëm “Shën Naumi i Ohrit”.
“Jemi në vendin në të cilin mbrëmë ndodhi aksidenti famëkeq, në të cilën jetën e humbën pesë persona dhe ende mund të shihen shenjat e gjakut dhe shenjat e mbetura nga veturat. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se të gjithë personat që kanë ndërruar jetë, janë të moshës së rritur dhe nuk ka fëmijë”, Mevludin Imeri, gazetar.
Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi numrin e viktimave. Nga atje thonë se ekipi i SPB Shkup ka kryer kontrollet në terren së bashku me prokurorin publik.
“Kontroll në vendin e ngjarjes ka kryer prokurori publik dhe ekipi kontrollues i Sektorit për Punë të Brendshme Shkup. Pas urdhrit të prokurorit publik trupat e pajetë janë dërguar në obduksion”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Kirurgu nga Spitali i Qytetit Burim Elezi thotë se pacienti si pasojë e aksidentit ka pësuar lëndime të lehta trupore, ka pasur shtypje në kokë dhe qafë dhe në plegjionin e kraharorit. Elezi thotë se pas pranimit të terapive, ai është lëshuar në mjekim shtëpiak.
“Është pranuar sonte në orën një pas mesnate në spitalin tonë, nga ku janë konstatuar se bëhet fjalë për lëndime të lehta trupore, lëndim të kokës, shtypje të kokës dhe qafës si dhe shtypje të plegjionit të kraharorit. Është mbajtur mbrëmë në spitalin tonë, ka marrë terapi adekuate, nga çka më pastaj është lëshuar në mjekim shtëpiak dhe është caktuar kontroll mbas disa ditëve në spitalin tonë”, tha Burim Elezi, kirurg.
Ndryshe në vitin 2018 nga gjithsej 3622 aksidente trafiku kanë humbur jetën 133 persona, ndërsa 5.860 janë lënduar. Edhe javë më parë S.S 65 vjeçar, humbi jetën dhe shoqëruesja e tij mbeti e lënduar rëndë si pasojë e aksidentit në mes veturës “Opel Corsa” me targa të Shkupit dhe mjetit për transport “Mercedes” me targa të Kumanovës.
Përgatiti: Mevludin Imeri
