Ajdari: Me aminin e Afrim Gashit Kuvendi përgjigjet maqedonisht

TË FUNDIT

Në një reagim publik, Rina Ajdari deputete e BDI-së, thotë se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me aminin e kryeparlamentarit Afrim Gashi përgjigjet vetëm në gjuhën maqedonase, transmeton TV21. Tutje, thekson se pyetjen e kishte parashtruar në gjuhën shqipe ndërsa është dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë vetëm në gjuhën maqedonase.

Mes tjerash, Ajdari potencon se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe duhet të respektohet në çdo institucion, dokument dhe procedurë, duke vlerësuar se Kuvendi ka dështuar në këtë drejtim.

Reagimi i plotë

REAGIM PUBLIK

Turp i madh për një institucion që pretendon se i trajton qytetarët me barazi!!

Pyetjen si deputete shqiptare e parashtrova në SHQIP dhe vetëm SHQIP.

Kuvendi, me aminin e kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi vendosi ta dërgojë vetëm maqedonisht në Ministrinë e Shëndetësisë, ku ministri është shqiptar.

Kjo është mungesë respekti ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj çdo shqiptari në këtë shtet.

Nuk mund të kërkoni vota në shqip, e pastaj shqipen ta lini jashtë institucioneve.

Nëse sot një pyetje zyrtare e një deputeteje shqiptare trajtohet vetëm maqedonisht, nesër çfarë do të injorohet tjetër?

Shqipja është gjuhë zyrtare dhe duhet të respektohet në çdo institucion, në çdo dokument dhe në çdo procedurë!!

Dhe sot, Kuvendi dështoi ashtu siç ka dështuar në vazhdimësi këto dy vite.